Pas akuzave të deputetit demokrat Xhemal Gjunkshi, se në Peshkopi është porositur kompania e furgonëve dhe autobusëve të mos kryejnë udhëtime drejt Tiranës, ka reaguar edhe pronari i kompanisë “Ariu-Ariu Sh.p.k”, Adil Çibaku.
Në një lidhje direkte telefonike për televizionin “Fax News”, Çibaku hodhi poshtë këto akuza, ndërsa u shpreh se makinat e tij do të jenë të gjitha në shërbim të qytetarëve.
“Jam në shërbim të qytetarëve të mi. Makinat i kam të gjitha në punë. Nesër do të ketë autobusë sipas orareve përkatëse.
Unë vij nga një familje e ndershme punëtore. Unë vij nga Partia Demokratike dhe asnjë partie tjetër. Ky është një skenar i turpshëm që e bëjnë faktorët politikë, për interesat e tyre dhe për të fshehur skenaret e veta. Kjo është një punë që e bëj për familjen time”, – tha Çibaku.
I pyetur se “pse vijnë këto akuza?”, Çibaku fajësoi deputetin demokrat Xhemal Gjunkshi, që sipas tij e bën për shkak të inateve personale, pasi në vend të kompanisë “Ariu-Ariu Sh.p.k”, ka dashur të licensojë kompaninë e tij që sipas Çibakut punonte në të zezë.
“Sepse në momentin që është bërë licensimi i kompanisë time, deputeti Gjunkshi, ka hedhur balët, pasi ai ka dashur të licensojë një kompani të tijën që e ka pasur në të zezë. Pastaj unë kam konkuruar në ministrinë e Financave, dhe këtë e tregon edhe dokumentacioni”, – tha Çibaku.
Ai u shpreh se i përket Partisë Demokratike, edhe pse nuk ka pasur asnjëherë ndonjë post në këtë subjek politik, por që është investuar si ai ashtu edhe familja e tij, në shërbim të PD.
“Më vjen keq që partia ime hedh baltë mbi punën time. Unë jam prej 30 vitesh në Partinë Demokratike. Unë jam infestuar gjithmonë në këtë parti, edhe pse nuk kam pasur asnjë përfitim, por vetëm kam investuar bashkë me familjen time”, – theksoi Çibaku.
I pyetur se nëse ka pasur apo jo ndërhyrje apo presion nga administrata që të mos bëjë transportin e udhëtarëve nesër, ai u shpreh: “Asnjëherë, nuk kanë guxuar sepse unë i di detyrat e mia”.
Në vijim, ai akuzoi deputetin Gjunksi, se kërkon që t’i vendosë gjobë.
“Unë kam dalë në një përfundim, se pas këtij postimi të zotit Gjunkshi, deputeti i zonës sonë, kërkon që nëpërmjet kësaj kërkon të më vendosë gjobë mua që të mos çoj njerëzit në protestë. Dmth që unë të inatosem dhe të mos çoj njerëzit në protestë, dhe të më vërë gjobë mua” u shpreh Çibaku.
Po ashtu në përmbullje iu përgjigj edhe interesit të gazetares në studio, nëse ai u ka kërkuar shoferëve që t’i japin 500 mijë lekë gjobë.
“Është e pavërtetë. Shteti i ka vërtetuar të gjitha me dokuemnte, dhe këto akuza nuk janë të vërteta”, tha Çibaku, ndërsa përfundoi: “Unë nuk jam pjesë e politikës. Unë kam marrë rrugën e biznesit, por do të reagojë sa herë që të më përmendin emrin tim”.
Nisin përplasjet për protestën, ndalohet nisja e autobusave nga ky qytet
(B.B/ Faxweb.al)
Discussion about this post