Portieri i Teutës, Stivi Frashëri nuk e ka fshehur pakënaqësinë për faktin që nuk është thirrur nga skuadra e Kombëtares shqiptare për dy ndeshjet miqësore të radhës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Stivi Frashëri thotë se nuk ka rëndësi forma e mirë që tregon një futbollist por e rëndësishme është të kesh “miq”.
“Statistika të mira. E kujt i bëhet vonë, sot diferencën e bën miku”, shkruan Frashëri në postimin e tij, ndërkohë që ka vendosur edhe një foto të statistikave sezonale.
Frashëri ishte një nga protagonistët e titullit kampion të Teutës. Portieri zhvilloi 36 ndeshje duke pësuar 16 gola.
Pavarësisht këtyre statistikave, 30-vjeçari nuk u preferua nga tekniku i përfaqësueses Edy Reja për dy sfidat miqësore ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke. Në listë janë portieri i Laçit, Alen Sherri dhe ai i Apolonisë, Romeo Harizaj, ky i fundit ishte surprizë në listën e trajnerit italian.
(E.H/Faxweb.al)