Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftuar në emisionin “Opinion”, ka folur edhe për akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Thaçi i pyetur nga gazetari Blendi Fevziu mohoi kategorisht që i referohej ish kryeministrit Berisha në akuzat e publikuara më herët.
“Raportet e mia nuk kanë qenë raporte personale, kanë qenë raporte institucionale”,- u shpreh Thacci.
Thaçi tha se raportet me ish-kryeministrin Berisha janë korrekte dhe të mira.
Kujtojmë që më herët përmes një postimi në Facebook, Thaçi shprehej se Kosovës nuk i duhen këshilla nga ata që e kanë ndihmuar Sllobodan Milloshevicin, në vitet e luftës me Kosovën, duke i shitur naftë, në kohën kur Jugosllavia ishte nën sanksione. Thaçi shkon edhe më tej duke thënë se këshilla nuk i duhen as prej atij që ka strehuar Osama Bin Landenin dhe ka arrestuar Adem Jasahrin dhe komandantë tjerë të UÇK’së.
“Jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim të territoreve, po bashkim të Preshevës Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, në kuadër të korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mënyrë paqësore.
Nuk duhet t’i përsërisim gabimet siç na ndodhën me vonesën për themelimin e Ushtrisë së Kosovës apo dhe me votimin e vonuar të demarkacionit me Malin e Zi.
Për procesin e dialogut dhe marrëveshjen paqësore, Kosova e ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë rrugëtim të përbashkët, Kosova nuk do ta ketë asnjë mëdyshje, sepse liria dhe pavarësia e Kosovës, është produkt i sakrificës sonë dhe i mbështetjes euroatlantike.
Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike.
Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit.
Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës.
Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste.
Këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare” shkruante Thaçi në Facebook.
Discussion about this post