Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti i shkaktuar nga Aldiron Shehu në Elbasan, ku mbetën të plagosur 5 policë.
Prokurori Tomorr Kullolli në seancën ku u dha masa e arrestit me burg theksoi se Policia ka përdorur dhe armët për të ndalur të riun.
Ndërkohë që vetë blutë e Elbasanit, në ditën kur kishte ndodhur ngjarja këmbëngulnin se nuk kishte pasur asnjë të shtënë, nga asnjëra palë.
Pjesë nga dinamika e ngjarjes:
Aldiron Shehu, i cili mëngjesin e 4 shkurtit 2020, vuri në lëvizje dhe alarmoi komisariatet e Devollit, Korçës, Pogradecit, Prrenjasit, Librazhdit dhe Elbasanit, kishte në makinën e tij 4 targa shqiptare, 1 targë greke dhe 1 fenelinë policie me kordon.
Shehu, dy ditë më parë aksidentoi rëndë efektivin e policisë së Elbasanit Eugen Abdyrrezaku, i cili së bashku me kolegët e tij, Gëzim Leka, Kristi Pepa dhe Erion Balla, kishin organizuar një postobllok policor për ndalimin e Aldiron Shehut.
Shehu ishte vënë në ndjekje policore nga një patrullë rrugore e komisariatit të Devollit, pasi në fshatin Cangonj, kjo patrullë i ka bërë shenjë të ndalojë për shkak të shpejtësisë së madhe të lëvizjes së automjetit. Por Aldiron Shehu, nuk ka ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të Korçës. Shehu është ndalur vetëm në Elbasan, ku 100 metra pasi kishte çarë postbllokun e policisë rrugore dhe goditur një efektiv policie, automjeti që ai drejtonte është përplasur me një makinë të rastit në rrugë, dhe për pasojë është përmbysur.
Vetëm në këtë moment, Aldiron Shehu, që i ishte shmangur ndjekjes së policisë nga zona e Devollit, është arrestuar. Gjatë kontrollit të makinës së tij të përmbysur, policia konstatoi dy targa AA 155 DP që i përkasin një personi nga Shkodra, dy targa të tjera DR 0701 A, që i përkasin një personi nga Durrësi, një targë greke IEH 3922 dhe një fenelinë policie me kordon. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje të makinës “ëolksvagen”.
Në kohën kur Shehu ka vënë re se po ndiqej nga makina e policisë, në fshatin Vranisht Shehu ka bërë një manovër të rrezikshme në rrugë, duke u kthyer menjëherë dhe pasi ka rrezikuar të nxjerrë jashtë rrugës automjetin e punonjësve të policisë është kthyer me drejtim lëvizjeje nga Devolli për në qytetin e Korçës.
Që në këtë moment ai është tentuar të ndalet tre herë nga policia, e cila ka organizuar postblloqe, por pa rezultat. Shehu, është ndalur vetëm pas një postblloku në Elbasan, ku policisë i është dashur të qëllojë me armë në ajër për ta bindur të ndalojë, por sërish Shehu, ka çarë bllokuesen e rrugës, duke goditur dhe një punonjës policie dhe më pas ka aksidentuar me një makinë tjetër, duke lënë të plagosur 4 persona, D.Plaka, D. Plaka, A. Cani, D.Hazizi dhe A.Latifi. I plagosur ka mbetur dhe punonjësi i policisë Eugen Abdyrrezaku.
(E.K/Faxweb.al)