Federata Europiane e Hendbollit (EHF) ka vendosur që ta përjashtojë Serbinë nga kualifikimet për Kupën e Botës në Hendboll për të rejat, pas anulimit të ndeshjes së sotme kundër Kosovës.
Lajmi është konfirmuar nga EHF përmes një njoftimi për mediat. EHF tha se ndeshja është anuluar si rezultat i ndërhyrjes së qeverisë së Serbisë.
Sipas federatës, duke marrë parasysh problemet e sigurisë dhe këshillat e autoriteteve policore serbe, zhvillimi i ndeshjes ishte zhvendosur nga Kragujevci në Kovilovo ndërsa ajo duhej të zhvillohej pa praninë e publikut dhe mediave.
“Në rrethanat e anulimit të ndeshjes dhe dështimit të Serbisë që ta luajë lojën, EHF ka vendosur që ekipi kombëtar i Serbisë të përjashtohet nga pjesëmarrja e mëtejme në këtë ngjarje”, thuhet në njoftim.
“Bazuar në informatat që kemi, ndeshjet e mbetura ndërmjet Norvegjisë, Sllovakisë dhe Kosovës pritet të luhen pa ndonjë problem”, vazhdon njoftimi.
Orari i ndeshjeve, pa pjesëmarrjen e Serbisë, mbetet i pandryshuar gjatë tri ditëve të ardhshme.
Më herët, qeveria e Kosovës e dënoi vendimin e qeverisë serbe për anulimin e kësaj ndeshjeje.
(M.Q/Faxweb)