Nuk iu ndahet takimeve ambasadori amerikan Donald Lu. Pas vizitës në dy selitë e PD-së dhe LSI-së ditën e djeshme sot ambasadori do të shkojë për takim në Prokurorinë e Përgjithshme. Mësohet se Lu do të ketë një takim me kryeprokuroren e re Arta Marku.
Duhet thënë se ambasada amerikane ka mbajtur një qëndrim të prerë sa i përket zgjedhjes së prokurorit të ri, duke theksuar faktin që palët duhet që të gjejnë një marrëveshje.
Mirëpo pas seancës së të hënës ambasada ka pasur një qëndrim edhe më të njëanshëm duke thënë se dhuna e ushtruar nga opozita është e papranueshme.
Në takimin që pati dje me Kryemadhin ambasadori është njohur me qëndrimin e palëkundur të opozitës që me zgjedhjen e njëanshme të prokurorit është shkelur Kushtetuta.
“Ishte një proces i një anshëm i cili u krye nga Kryeministri me qëllimi kapjen e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme për të mbuluar aferat e tij dhe të çështjeve shumë të rëndësishme në hetim si procesi ndaj ish Ministrit Tahiri po ashtu dhe dosjet e korrupsionit të ministrave të tjerë”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Duke vënë theksin te procesi i votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se: Ky votim i njëanshëm i Kryeministrit dhe deputetëve të tij e bën të pabesueshëm institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me vullnetin e tij për tu shkuar deri në fund hetimit të trafikut të drogës që po shkatërron vendin, e në mënyrë të veçantë rininë shqiptare si dhe për të luftuar korrupsionin që po mban peng Shqipërinë, fatin e shqiptarëve dhe Integrimin Europian”, është shprehur dje në takim Kryemadhi.
(E.K/FAXWEB)