Noterja Miranda Xhemalçe tek e cila Arta Vorpsi bëri betimin për marrjen e detyrës së anëtares së Gjykatës Kushtetuese, ka folur para mediave ku ka justifikuar firmën e saj mbi deklaratën e të përzgjedhurës për postin e lartë në sistemin e drejtësisë së re në vend.
Xhemalçe tha se ajo nuk mban asnjë përgjegjësi për asgjë tjetër, veçse të provojë se Arta Vorpsi e ka kërkuar firmën e saj mbi një deklaratë për të çilën noterja tha se mban klientja përgjegjësi personale, duke argumentuar se si notere, ka bërë detyrën si ndaj çdo qytetari tjetër.
Noterja ka treguar gjithashtu se sa i ka kushtuar Vorpsit ky proçes ku në total thotë se ka shkuar tek 26 mijë lekë të vjetra.
“Nuk u betua mbi Kushtetutë. E hodhi firmën në praninë time duke u vënë në dijeni për çfarë bëhet fjalë. Është detyra ime dhe nuk mund ta refuzoj, mund të vijë çdo qytetar, verifikova kartën, dhe të dhënat dhe unë kam vënë firmën mbi diçka që ajo ka dhënë atributet e veta. Ti mund të deklarosh diçka dhe unë vërtetoj me firmën tënde dhe shkrimin tënd, kaq mbaj përgjegjësi unë. Nuk marr unë dot përsipër kompetencat e Presidentit.
Ndërsa unë noterizoj firmën e personit. 20 mijë lekë të vjetra është deklarata, 4 mijë lekë tvsh dhe 2 mijë lekë taksa e pullës. Mund të shkonte në çdo noter tjetër dhe t’ia bënte këtë. Prej gjashtë vitesh nuk e kisha parë, e njoh nga mediat që doli kohët e fundit. Unë bëj vetëm detyrën time si notere, vërtetoj se ajo ka qenë firma e Artës, legalizoj firmën. Neni 62 germa H parashikon vërtetimin neterial”, tha Miranda Xhemalçe.
(F.GJ/FAXEB.AL)