Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili nuk u lejua të merrte pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij, ka mbërritur sot në Kosovë.
Me kurorë në dorë Hashim Thaçi ka shkuar menjëherë të varrezat ku prehet babai i ndjerë.
Mësohet se Gjykata Speciale, i ka lejuar Hashim Thaçit ardhjen në Kosovë, pas vdekjes së babait të tij, Haxhi Thaçit.
Lajmin e bëri të ditur Nasim Haradinaj,i cili përmes një postimi në Facebook shkruan: “E sollën sot në kohë të pa kohë, sa për sy e faqe e që nuk e kanë asnjë pikë në vetë vetën e tyre e le më ajo njerëzorja që ju mungon në total”.
Babai i Hashim Thaçit, Haxhi Thaçi ndërroi jetë më 16.03.2025. Ai ishte shtruar në Qendrën Klinike Universitare për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Të enjten e kaluar ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit i dha leje për vizitë Gjykata Speciale, e cila po e gjykon për krime të pretenduara të luftës. Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë.
Thaçi po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. Zyra e Prokurorisë Speciale e ka ngarkuar atë me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë – ndërsa ndodhet në një proces gjyqësor për krime të pretenduara të luftës. Më 6 dhjetor 2024, Specialja konfirmoi aktakuzë të re kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Fadil Fazliut.
Bëhet fjalë për vepra penale që lidhen me pretendime për “të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve” në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë hyrë në vitin e pestë që ndodhen në paraburgim nën pretendimet për krime lufte.