Numri i lartë i votave të pavlefshme në zgjedhjet e 30 Qershorit, është një dukuri e pa ndeshur ndonjëherë në të kaluarën e zgjedhjeve në Shqipëri dhe kjo ka ndodhur pothuajse në gjithë vendin së fundmi.
Kështu me sa duket, rekordin do t’a mbajë Qarku i Dibrës pasi shifrat flasin se në raport me popullsinë, në 4 bashkitë e tij qytetarët janë shprehur goxha shumë duke përdorur alternativën e votës së pavlefshme.
Në bashkinë e Matit janë numëruar 53 nga nga 54 kutitë e votimit ku nga rezultatet e publikuara nga KQZ konstatohet se Agron Malaj, kandidati i vetëm në garë me siglën e Partisë Socialiste ka marrë 7 921 vota deri më tani.
Në Dibër kandidojnë 2 kandidatë ku, Dionis Imeraj i Partisë Socialiste në 117 nga 118 kuti në total, ka marrë 12 972 vota ose 83.49% ndaj kandidatit tjetër të Bindjes Demokratike, Shkelzen Qoka i cili ka marrë 2 565 vota ose 16.51%.
Në Klos janë numëruar deri më tani 31 nga 32 kuti votimi ku kandidati i PS-së, Ilmi Hoxha ka marrë 67.62% të votave (3 504) ndërsa kandidati rival i pavarur, Bedri Hoxha ka marrë 1 678 vota ose 32.38%.
Ndërkohë në Bulqizë, Lefter Alla i PS-së ka marrë 93.27% të votave thënë ndryshe 7 529 ndërsa kandidati i Bindjes Demokratike, Ilir Balla ka marrë 543 vota ose 6.73%.
Por ajo çfarë bie në sy në 4 bashkitë e Qarkut të Dibrës ka të bëjë me numrin e lartë të votave të pavlefshme të cilat qytetarët i kanë hedhur brenda kutive ditën e djeshme.
Vota të pavlefshme
Dibër 871
Bulqizë 968
Klos 277
Mat 243
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post