Objekti në Kalanë e Shkodrës që shpeshherë ka shkaktuar debate lidhur me faktin nëse është kishë apo xhami, është rikthyer sërish në vëmendje. Së fundmi, Turqia përmes media së saj “TRT” mbron deklaratat se objekti është xhami që përfaqëson trashëgiminë shpirtërore të myslimanëve shqiptarë.
Në artikullin e saj, “TRT Shqip” citon Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed B. Sytari, At Eresmo Belneo, si dhe i referohet një vizatimi të një autori gjerman që e ka bërë vizatimin mbi bazën e tregimit të një udhëtari që e kishte vizituar Shqipërinë në 1820-ën.
“Natyrshëm unë nuk do të analizoj thëniet e njërit apo tjetrit prej kronikanëve të kohëve të shkuara, por ajo që dua të them me përgjegjësinë më të madhe dhe bazuar në fakte konkrete historike është se objekti i kultit në kalanë e Shkodrës është xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut, i cili për ne myslimanët mbetet një personalitet i shquar i historisë së pastër, të shtrenjtë e të shenjtë të shekujve të kaluar. Sulltan Mehmet Fatihu është personi të cilin e ka paralajmëruar ardhjen e tij, triumfin e tij, lavdinë e tij dhe madhështinë e tij vetë Profeti i Islamit, Hz. Muhammedi (a.s), i cili thoshte për çliruesin e Kostandinopojës: “Niemel emiru, emiruha”, pra: “Bekuar qoftë komandanti i asaj ushtrie, bekuar qofshin ushtarët e asaj ushtrie!” Tek ne myslimanët, Sulltan Mehmet Fatihu është personalitet i shtrenjtë dhe është një ndër udhëheqësit më të shquar të historisë së njerëzimit. Ne e respektojmë dhe e nderojmë atë, sepse është pjesë e historisë sonë. Kur themi “Historia osmane”, do të thotë historia e krejt myslimanëve të botës, përfshi edhe myslimanët e Shqipërisë. Kësisoj ne e respektojmë, e nderojmë dhe e vlerësojmë mbetjen e xhamisë që mbanë emrin e tij në kalanë e Shkodrës, maksimalisht si një relikte e çmuar dhe e shquar e historisë sonë fetare dhe asaj kombëtare.”, është shprehur mam Muhamed Sytari në një intervistë ekskluzive për TRT, Zërin e Turqisë në Shqip.
Debati mbi këtë objekt është i hershëm. “TRT” shkruan se Kisha katolike duke pretenduar se ky kult fetar para se të jetë xhami 500 vjeçare ka qene e krishtere, ajo për 12 vite radhazi kremton meshë vjetore, për çdo 26 dhjetor, në përkujtim siç e quajnë ata të pajtorit të Shkodrës, shën Shtjefni, gjë e cila ka sjellë edhe reagimin e myftinisë, e cila e konsideruar një provokim dhe cënim të kufijve të harmonisë dhe tolerancës ndërfetare, jo vetëm nga arqipeshkvia, por edhe nga ministria e kulturës e Shqipërisë.
Përmes këtyre referimeve, në kronikën e saj speciale, Televizioni shtetëror turk hedh poshtë pretendimet e të krishterëve duke e cilësuar të padiskutueshme se objekti në Kalanë e Rozafës është xhami. Kjo kronikë rëndon edhe më tepër replikat mes dy komuniteteve më të mëdha fetare në Shkodër, të krishterët katolikë dhe myslimanët, që nuk kanë gjetur harmoninë mes tyre për shkak të këtyre pretendimeve. (XH.A/SHUPLAKA)
Discussion about this post