Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formular për deklarimin e pasurive dy personazheve të njohura të botës së krimit në Fier dhe në Lushnje, që janë Arben Isufaj, i njohur ndryshe si Ben Qimja, dhe Saimir Taullaut në Lushnje.
Saimir Taullau i ka shpëtuar disa atentateve të kryera ndaj tij, ai njihet si një biznesmen në Lushnje, por aktivitetin e tij e ka zgjeruar edhe në Greqi dhe Itali.
Familja Taullai njihet si rivale e fortë e Aldo Bares. Në vitin 2005, Baki Taullau u vra, ndërkohë që Saimiri, vëllai i tij, ishte dëshmitar në gjyq, ku ka dëshmuar dhe ka akuzuar si autorë të vrasjes, pjesëtarët e këtij grupi me urdhër të Bares.
Konflikti ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi. Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen, duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut.
Familja e tij, ka patur gjithnjë përplasje me grupin e Aldo Bares, për shkak të një gjobe të vendosur gati 2 dekada më parë me vlerë 500 mijë euro, p ngjarje ende nuk është zbardhur.
Në dëshminë e tij, para gjykatës në vitin 2008, Saimir Taullau, ka thënë se i vëllai i tij, Baki Taullau, ishte pre e gjobave të grupit të Aldo Bares. Siç dëshmonte asokohe Taullau, i vëllai i tij i kishte paguar disa herë gjobat që grupi i Bares i kishte vendosur, dhe kur ai nuk i pagoi më, atëherë atë e vranë.
Arben Isufaj, nga ana tjetër i njohur me nofkën Ben Qimja, është vënë më herët në pranga për llogari të drejtësisë italiane, pasi dyshohet për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.
I cilësuari si i forti i Fierit dhe një biznesmen me shumë ndikim në këtë qytet, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, por që tashmë gëzon lirinë pas disa manovrave me proceset gjyqësore.
Ai dyshohet të ketë trafikuar sasi të mëdha droge në kuadër të një organizate të fuqishme që vepronte në vendin përtej Adriatikut dhe ishte dënuar me 30 vite burg.
Emri i tij është skeduar që herët në dosjet e policisë italiane, pasi Antimafia ka përgjuar për një kohë të gjatë personat e përfshirë në aktivitetin kriminal. Më herët, Arben Isufaj ka ‘fituar’ një përballje me gjykatat shqiptare, pasi dyshohej për vrasje me paramendim, por u la i lirë për mungesë provash.
Deklarata e plote e OFL-se:
Në vijim të operacionit Forca e Ligjit dhe në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
– S. T., banues në Lushnjë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim;
– A. I., banues në Fier, i cili është nën hetim në Itali, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për ndjekje të mëtejshme.
Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.
Gjatë kësaj periudhe janë dërguar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar materialet për shtetasit : A. H., L. H., G. F., G. M., A. D., M. B. dhe A. D.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
(E.K/Faxweb.al)