Operacioni Forca e Ligjit u ka kërkuar plotësimin e formularit të pasurisë dy individëve të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me botën e krimit, dhe që janë dënuar apo hetuar edhe jashtë vendit.
Një prej personave që i kërkohet deklarimi i pasurisë është Suel Çela në Elbasan, i dënuar për trafikimin e lëndëve narkotike në Itali, si dhe Plarent Dervishaj, personazh i njohur i botës së krimit në Durrës, i cili është vendosur nën hetim nga Gjermania për trafikun e qenieve njerëzore.
Kush është Suel Çela:
Suel Çela u shpall pak kohë më parë i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve tëRënda, pasi dyshohet se kishte marrë pjesë në përplasjen e një mjeti të blinduar me policinë në ambientet e tregut agroushqimor të Elbasanit.
Pafajësia e tij erdhi për shkak se disa prej policëve të përfshirë në këtë ngjarje pyetur më pas si dëshmitarë nuk arritën të thonin se kishin parë Celën atë mbrëmje.
Prokuroria duke hequr akuzën për vrasjen e policëve ndaj Celës, kërkoi për të 7 vite burg por gjykata rrëzoi kërkesën si të pabazuar në prova. (Lexo edhe ketu lajmin)
Plarent Dervishaj ndërkohë ka qenë pjesë e bandës së Durrësit, dhe është i njohur për miqësitë e tij me Lulzim Berishën dhe me Emiljano Shullazin.
Vitin e kaluar Dervishajt iu bë një atentat në zonën e Shkozetit,ku mbeti i plagosur, ngjarje për të cilën nuk u arrestua asnjë person. Në makinën e tij ndodhej dhe kunati i Berishës, Julian Meçaj. (Lexo edhe ketu lajmin)
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.
Njoftimi i plotë i policisë:
Në vijim të operacionit Forca e Ligjit, dhe në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, sot më datë 6 shkurt 2020, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
– P. D., me banim në Durrës, pasi rezulton në hetim në Gjermani për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.
– S. Ç., me banim në Elbasan, pasi rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre,
Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.
Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti.
Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
(E.K/Faxweb.al)