Analisti Olsi Jazexhi, i ftuar në Fax News, komentoi tensionet e fundit mes Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se përplasja mes dy vendeve ishte e pritshme dhe e paralajmëruar prej kohësh. Sipas Jazexhiut, kjo situatë është ndërtuar gradualisht përmes një sërë provokimesh dhe veprimesh të njëanshme, ku përfshihet edhe vrasja e shkencëtarëve dhe figurave politike iraniane ndër vite.
Ai shtoi se, pavarësisht marrëveshjes bërthamore që ekziston mes SHBA-së dhe Iranit, Izraeli ka ndërmarrë veprime të vazhdueshme ushtarake dhe politike për të destabilizuar rajonin dhe për të dobësuar pozitat e Teheranit. Sipas tij, këto sulme kanë si qëllim jo vetëm dëmtimin e kapaciteteve të Iranit, por edhe krijimin e frikës në opinionin ndërkombëtar, për të justifikuar ndërhyrje të mëtejshme.
Jazexhi theksoi se konflikti aktual është rezultat i një politike të gjatë përçarjeje dhe frike, ku Izraeli po përpiqet të mbajë kontrollin në rajon duke shpërfillur normat ndërkombëtare dhe duke sfiduar hapur marrëveshjet diplomatike ekzistuese.