Është shtyrë seanca në KPK për Anita Jellën drejtuese e prokurorisë së Durrësit dhe njëherësh kandidate për SPAK-un.
ONM ka bërë kërkesë për të shtyrë procesin e vettingut për Jellën pasi ka sjellë prova të reja dhe trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës.
Prokurorja Jella drejton institucionin e Akuzës së Durrësit prej Majit 2018, kur Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, e caktoi në atë funksion pa asnjë bazë ligjore.
Trupa gjykuese në KPK përbëhej nga kryesuesja Xhensila Pine dhe anëtaret Etleda Çiftja e Valbona Sanxhaktari, ku një nga dyshimet më të mëdha ëshrë ajo për disa transaksione “fiktive” për marrjen e një vize në vitin 2010, si edhe të tjera çështje që lidhen me aftësinë paguese të një detyrimi për një apartament me vlerë totale 68 mijë euro.
Pasuria e deklaruar nga Jella
Anita Jella dhe bashkëshorti i saj, Erjon Shqarri, edhe ai prokuror prej vitit 2015, nuk përfshihen në radhën e zyrtarëve të drejtësisë me pasuri të madhe, referuar deklarimeve të tyre të pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Jella ka nisur punën në vitin 2003, si prokurore në Librazhd e duke vijuar si drejtuese në atë strukturë, më pas si prokurore në Elbasan, në Durrës dhe së fundmi drejtuese e përkohshme në prokurorinë e qytetit bregdetar.
Në periudhën 2003-2010, për sa kohë ka jetuar vetëm, Anita Jella ka deklaruar vetëm pagën në prokurori dhe kursime periodike në gjendje cash. Në vitin 2010 ajo ka krijuar familje me shtetasin Erjon Shqarri, i cili nga ana e tij ishte oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Elbasanit prej vitit 2003.
Shqarri, në formularin e pasurisë për vitin 2003 deklaronte nga ana e tij se zotëronte 20 përqind të një shtëpie banimi me sipërfaqe 170 m2, në Elbasan, të përfituar trashëgimi nga gjyshi. Gjithashtu, ai deklaronte si kishte në pronësi një automjet BMW, me vlerë 2 milionë lekë, të blerë me kursimet e tij dhe të familjes së tij të origjinës.
Prej vitit 2014, Erjon Shqarri nuk deklaron pasurinë, pasi ligji përkatës i përjashtonte këtë kategori zyrtarësh për të plotësuar formularin.
Ai rikthehet si deklarues, pas martesës me subjektin Anita Jella. Në vitin 2011, bashkëshortët Jella-Shqarri porosisin një apartament në Durrës. Për këtë apartament deklarojnë se kanë paguar dy këste, me vlerë 55 mijë euro.
Si burim për shlyerjen e kësteve, Jella deklaron një kredi me afat 20-vjeçar, në shumën 5.6 milionë lekë të reja dhe pjesën tjetër nga kursimet familjare.
Në të njëjtën kohë, bashkëshorti Shqarri ishte në përfundim të shlyerjes së një kredi të marrë në vitin 2005, në vlerën 7 mijë euro.
Në 3 Maj të vitit 2014, bashkëshorti i Anita Jellës blen një automjet në shumën 250 mijë lekë, si edhe për zhdoganimin në vlerë 145 mijë lekë. Pra, në total, shpenzime për automjetin llogaritet në rreth 400 mijë lekë.
Por, vetëm dy ditë më pas, në 5 Maj 2014, Erjon Shqarri vendos ta shesë automjetin, me një vlerë 300 mijë lekë. Në formularët e pasurisë është e paqartë se cili ka qenë qëllimi i këtyre veprimeve brenda dy ditëve, të cilat, për më tepër, kanë rezultuar me humbje për Shqarrin.
Në vitin 2016, Anita Jella deklaron se ka blerë një automjet Ford Fokus, me vlerë 150 mijë lekë. Në të njëjtin vit, bashkëshorti i saj, i cili tashmë ishte emëruar prokuror në Vlorë, vendos të ndryshojë kontratën për apartamentin e porositur në vitin 2011.
Në bazë të kontratës së re, Shqarri dhe kompania e ndërtimit bien dakord që bashkëshortët prokurorë të heqin dorë nga apartamenti i porositur dhe të marrin një tjetër, në të njëjtën godinë, në të njëjtin kat, kësaj radhe me sipërfaqe 113 m2.
Në bazë të kësaj kontrate të re, bashkëshortët Jella-Shqarri do të duhet të paguajnë edhe 12.900 euro të tjera, të cilat do të likujdohen kur të nënshkruhet kontrata e shit-blerjes.
Duket si “guxim” i tepruar nga ana e çiftit të prokurorëve që kanë vendosur të ngarkohen me një detyrim të ri, ndërkohë që për shlyerjen e kësteve të para, ata kanë marrë një kredi 20-vjeçare, në përfundim të të cilës do të paguajnë rreth 7 milionë lekë të reja.
(E.K/Faxweb.al)