Gjatë ditës së sotme, policia ka sekuestruar 6 thasë të mbushur me rreth 166 kilogramë kanabis. Sasia e lëndës narkotike u zbulua në vendin e quajtur “Pylli i fshatit Krastë”, në qytetin e Krujës.
Mësohet se lënda narkotike ishte fshehur me qëllim për ta trafikuar, por policia arriti ta pengonte një gjë të tillë. Mirëpo autorët ishin larguar nga vendngjarja dhe policia nuk ka arritur t’I identifikojë. Megjithatë kanë nisur hetimet për zbardhjen e detajeve të tjera mbi ngjarjen.
NJOFTIMI I POLICISË:
“Krujë, më 11.03.2017.
Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Krasta”.
Sekuestrohen 166 kg Cannabis Sattiva.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Krujë në bashkëpunim me Efektivet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar”Krasta”.
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në vendin e quajtur “Pylli I fshatit Krastë”, Krujë, disa persona kishin fshehur lëndë narkotike me qëllim trafikimin e tyre, punonjësit e policisë ushtruan kontroll të imtësishëm në të gjithë zonën.
Gjatë krehjes së zonës nuk janë konstatuar personat, por u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
- 6 thasë të mbushur me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva me peshë rreth 166 kg.
Vijon puna për kapjen e personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale” Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar në nenin 283/ 1 të Kodit Penal.” (D.D/Shuplaka)