Ditën e sotme, Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ato të Malit të Zi kanë finalizuar një operacion antidrogë duke arrestuar dy trafikantë që tentonin të transportonin drogë me skaf.
Sipas policisë trafikantët janë duke eksperimentuar por pa sukses rrugë alternative për shkak të vështirësisë së hasur në ujërat shqiptare ku operojnë forcat e policisë së kufirit dhe të Guardia di Finanza të Nuklit të Kufirit Detar të Durrësit dhe Vlorës.
Ndjekja e gjatë prej pothuaj 5 orësh, bëri të mundur bllokimin e gomones së fuqisë së lartë me tre motorë.
Ndërkohë dy trafikantët u ndaluan në det të hapur nga Guardia di Finanza e Termolit dhe Barit të drejtuar nga avioni i Frontex.
Forcat e policisë së kufirit të Shqipërisë me koordinimin e QNOD, NUFROM i Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë dhe policia e kufirit të Malit të Zi kishin dalë në afërsi të kufirit Shqipëri -Mali i Zi ku edhe ishte drejtuar gomonia pasi i ishte afruar njëherë bregdetit të Termolit në Molizë nga ku edhe ka filluar ndjekja.
Gjatë ndjekjes trafikantët kanë hedhur në det ngarkesën duke e bërë më të vështirë ndjekjen.
Tashmë trafikantët dhe gomonia janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar autoriteteve gjyqësore italiane.
Ende nuk dihet pesha e lëndës narkotike, për shkak të sekretit hetimor rezervohen të jepen detaje.
(S.SH/Shuplaka)