Në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, shërbimet e Policisë së Durrësit dhe Kavajës kanë vijuar kontrollet intensive përgjatë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen në mënyrë të paligjshme.
Gjatë operacionit u liruan hapësirat në plazhin e Currilave, plazhin e Spillesë dhe në Kepin e Rodonit, ku ishin vendosur pa leje 169 komplete me çadra dhe shezlongë.
Tre shtetas, të identifikuar si B. D., 33 vjeç, N. S., 59 vjeç dhe A. R., 44 vjeç, banues në Durrës dhe Tiranë, janë proceduar penalisht për vendosje të paligjshme të këtyre objekteve në hapësira publike.
Materialet janë referuar në Prokurori dhe vijon procedimi në gjendje të lirë ndaj tyre.
Policia apelon që hapësirat publike të respektohen dhe garanton se kontrollet do të vazhdojnë gjatë gjithë sezonit veror për të siguruar një ambient të rregullt dhe të sigurt për pushuesit.