Një organizatë kriminale shqiptare të trafikut të heroinës është shkatërruar pas një operacioni të ndërmarrë nga policia në Friburg të Zvicrës.
Nga operacioni i cili u vu në zbatim pas një viti hetime u zbulua se grupi kriminal vepronte edhe në kantonet e Bernës, Vaudit dhe Gjenevës. Ndërkohë policia ka arrestuar 14 persona, 12 prej të cilëve në zonat e sipërpërmendura dhe 2 të tjerë jashtë shtetit, të cilët do të ekstradohen në Zvicër për qëllime hetimi.
Sipas burimeve zyrtare, banda importonte sasi të mëdha droge në Zvicër, ku më pas ndahej dhe u dorëzohej strukturave të rrjetit kriminal për të bërë shpërndarjen në treg.
Trafikantët udhëtonin në të katër kantonet për të bërë dorëzimin dhe në disa raste e fshihnin heroinën në pyje. Në total gjatë operacionit janë sekuestruar 8.5 kilogramë heroinë me vlerë tregu 1 milion dollarë, 10.5 kilogramë lëndë përzierëse paracetamol dhe kafeinë, si dhe 50 mijë franga zvicerane. Krerët e kësaj linje trafiku pritet të dalin së shpejti përpara gjyqit.