Sot është mbledhja e radhës e Komisionit për Dezinformimin, e cila u bojkotua nga anëtarët e Partisë Demokratike. Edhe në mbledhjen e parë, të mbajtur në fund të qershorit, opozita vendosi ta bojkotojë ashtu siç kishin paralajmëruar. Në mbledhjen e sotme u miratua vetëm me votat e mazhorancës metodologjia e punës, e cila bazohet në katër pika.
“E para kë të bëjë me rishikimin e kuadrit ligjor dhe praktikës për ndalimin e hyrjes së huaj në proceset demokratike dhe ato zgjedhore, me katër objektiva që i bashkangjiten, ndalimi i ndërhyrjeve të huaja në ekonomi, mbrojtja dhe promovimi lirisë së medias përballë dezinformimit“, tha kryetari i komisionit, Erion Braçe, i cili shtoi se ka interes nga mediat dhe organizatat e medias për të dhënë kontributin tyre, ndërsa kërkoi më shumë pjesëmarrje.
“Unë do të ftoja edhe aktorë të tjerë të medias, që bëjnë pjesë te grup, që do të jetë një grup i rëndësishëm pune, edhe përfaqësues të institucioneve publike, të pavarura, që ndërveprojnë në fushën e medias, natyrisht edhe ekspertë të huaj”.
Komisioni u miratua më 11 prill në Kuvend me 73 vota të socialistëve. Ky komision ka si qëllim identifikimin e fushatave dezinformuese në media, mbështetjen financiare të mediave apo organizatave të shoqërisë civile dhe do të ushtrojë funksionet e tij për 12 muaj. Në përfundim të punës, Komisioni do të përgatisë një raport me analizat, gjetjet dhe propozimet për ndryshimet ligjore dhe masat administrative.