“Opozita është jashtë Parlamentit, të tërhequr në malin Aventine siç do të thoshit ju, por unë nuk jam Duçja”- është shprehur kryeministri Edi Rama në një intervistë të bërë nga e përditëshmja italiane Libero.
I pyetur për situatën politike në vend Rama ka thënë se asnjë gjendje destabiliteti nuk e ka mbërthyer Shqipërinë. “ Ata duhet të kthehen në Parlament nëse duan të përballemi me njëri-tjetrin, kështu ata vetëm i bëjnë keq Shqipërisë, duke ofruar një imazh të ndryshëm të vendit nga realiteti.
Ne nuk jemi në rrezik destabiliteti. Kjo është një protestë para Parlamentit dhe ata nuk e kanë popullin me vete.”
Libero nuk harron as të përmend profesionin e dytë të kryeministrit duke i atribuar gjithë lehtësirat që ka patur gjatë periudhës së tij të qeverisjes.
Sipas Libero, çelsi i tre mandateve të tij si kryebashkiak ishte ndjenja e bukurisë që zotëron kryeministri, gjë që e ka bërë të mbajë postin edhe më gjatë por tani më si drejtues i qeverisë.
Dhe me lehtësinë e artistit Rama ka zgjedhur të flasë dhe për çështje me rëndësi duke mos harruar të përmendë pozicionin strategjik të vendit, aleatët dhe kundërshtarët e Shqipërisë.
“Ballkani është vend strategjik, ne kemi qenë kufitar me shtete fqinjë për mijëvjeçarë dhe të gjithë do të donin të kishin ndikim mbi ne. Kjo është arsyeja pse unë dua të bëj vendin tim pjesë të Evropës, megjithëse në mënyrë të qartë nuk i pëlqen Rusisë dhe fuqive të tjera lindore. Por unë dua ta vendos Shqipërinë nën siguri, kemi përjetuar luftë dhe shfarosje etnike në lëkurën tonë, ne kemi këtë kujtimin në zemrat dhe mendjet tona, ato nuk janë një përrallë e gjyshërve siç është për ju në Evropën Perëndimore “.
Kjo nuk është hera e parë që Rama flet për mediat italiane. Me situatën e trazuar politike edhe daljet e kryeministrit në mediat e huaja kanë qenë të shpeshta.