Pas akuzave se opozita i kishte lënë vetëm, nga ana e banorëve të Astirit, kreu i opozitës Lulzim Basha është nisur drejt të lënduarve në spitalin e Traumës. Basha shoqërohet në spital dhe nga ish-deputetët Albana Vokshi dhe Jorida Tabaku, të cilat kanë qenë dhe më herët pranë të lënduarve.
“Për shkak të gjendjes së rënduar me banorët e Unazës, kryetari Basha është nisur për në Spitalin e Traumës ku edhe do të ketë një prononcim”, njoftojnë burime nga PD.
Një pjesë e banorëve u shprehën sot se ata bënë gjithçka që mundën për mbrojtjen e banesave të tyre, por përballë shtetit, dhe mungesës së mbështetjes nuk mund të bënin dot më shumë.
Më herët ish-deputetë demokratë ishin shprehur se ata do të mbronin së bashku me banorët ndërtesat, qoftë edhe fizikisht, po që prej ditës së sotme, kjo fortesë është thyer, dhe tashmë IKMT ka vijuar me shembjet.
(E.K/Faxweb.al)