Kreu i opozitës Lulzim Basha ka akuzuar përsëri kreyministrin Edi Rama duke theksuar se ai pikë së pari duhet t’u bëjë të ditur shqiptarëve sa para u ka dhënë nga buxheti i shtetit oligarkëve këto katër vite.
“Në vend që të kërcënojë sipërmarrësit e vegjël që punojnë sa për të mbajtur gjallë familjet e tyre, Edi Rama duhet t’u bëjë të ditur shqiptarëve sa para u ka dhënë nga buxheti i shtetit oligarkëve këto katër vite: oligarkët e shëndetësisë e të ilaçeve, oligarkët e ndërtimit, oligarkët e koncesioneve, oligarkët e naftës dhe të telekomunikacionit.
Pastaj t’u tregojë shqiptarëve edhe sa taksa kanë paguar këta oligarkë në buxhetin e shtetit.
Por ai nuk i tregon dot këto fakte, sepse ato zbulojnë një të vërtetë kriminale: zhvatjen e pamëshirshme të njerëzve të thjeshtë për pasurimin e Edi Ramës dhe klientëve të tij.”, u shpreh Basha.
Sjelim në vëmendje që mëngjesin e sotëm Rama u shpreh se opozita mbron informalitetin.
“Opozita front në mbrojtje të INFORMALITETIT. Ne mbrojmë njerëzit e zakonshëm. Asnjë biznes pa TVSH = FUND mashtrimit me lekët e popullit”, tha Rama. (J.V/Shuplaka)