OSBE/ODIHR rrëzon kërkesën e Partisë Demokratike për të realizuar në zgjedhjet e ardhshme të 2017- s identifikimin biometrik, votimin dhe numërimin elektronik. Po ashtu “arbitri” kryesor i zgjedhjeve kundërshton dhe kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka propozuar listat e hapura për zgjedhjet e qershorit.
Letra e OSBE/ODIHR, sipas së cilës theksohet se koha e mbetur në dispozicion nuk është e mjaftueshme për të ndërmarrë ndryshime të thella në Kodin Elektoral. Por për OSBE/ ODIHR, edhe pse koha është në limitet e saj, katër çështje mund të trajtohen nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore.
Por asnjëra nga këto katër çështje nuk ka të bëjë me kërkesat e PD-së dhe LSI-së për votimin elektronik apo listat e hapura. Vëzhguesi i zgjedhjeve kërkon që të ndërhyhet sa më parë në miratimin e amendamenteve që sigurojnë transparencë të partive politike në fushatë, garantimin e kuotave gjinore, forcimin e sanksioneve ligjore për shkelësit e ligjit zgjedhor dhe përmirësimin e kuadrit ligjor të mbulimit mediatik të fushatave elektorale.
“Është shumë vonë për Komisionin e Reformës Zgjedhore që të adresojë të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe rekomandimet e mëparshme në përmirësim të legjislacionit zgjedhor. Megjithatë nuk është shumë vonë për të adresuar disa pika të rëndësishme, përpara se të mbahen zgjedhjet parlamentare të 2017-s, dhe disa nga këto fusha janë:
1. Të rritet transparenca e financimit të fushatave elektorale.
2. Forcimin e kuadrit ligjor për kërkesat gjinore në listat e kandidatëve të partive politike
3. Të forcojnë sanksionet për shkelësit e ligjit.
4. Të përmirësojnë dispozitat ligjore mbi mbulimin mediatik të fushatës. Këto pika duhet të përmirësohen pa rishikimin e plotë të ligjit”, thuhet në letrën zyrtare të OSBE/ODIHR.