Operatori i Shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) reagon pas lajmit të publikuar gjatë mbrëmjes së sotme në emisionin investigativ “Stop”, ku dy punonjës ndihmuan një pronar lavazhi të rilidhte energjinë elektrike në këmbim të disa parave.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, OSHEE bën me dije se dy punonjësit që u filmuan nga kamera e “STOP-it”, janë shkarkuar nga puna.
“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndoqi me vëmendje rastin e denoncuar mbrëmjen e së mërkurës në emisionin investigativ “STOP” në Televizionin Klan, ku u pretendua se dy punonjës të kompanisë favorizuan një biznes debitor në këmbim të parave. OSHEE kreu menjëherë identifikimin e personave të shfaqur në video dhe mori masën e pezullimit nga detyra për shtetasin F.Beshi me pozicion Shef Grupi Operativ dhe H.Nika me pozicion elektriçist. OSHEE do të ndjekë të gjithë hapat ligjore me depozitimin e materialeve në organin e akuzës me synim zbardhjen e plotë të asaj çka u transmetua në emisionin investigative. Paralelisht, do të kryhet verifikimi i subjektit privat i cili u pretendua të jetë favorizuar nga dy punonjësit e lartpërmendur për rilidhjen e energjisë në shkelje të ligjit..”, thuhet në njoftimin e OSHEE-së.
Ndër të tjera, OSHEE shton se ligjshmëria në konsumin e energjisë elektrike është një detyrim për çdo abonent, biznes apo familjar. (D.D/Shuplaka)