Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë pas ditës së dytë të konsultimeve me partitë parlamentare se konstituimi i Kuvendit brenda afatit prej 30 ditëve të caktuar nga Gjykata Kushtetuese është “detyrim dhe jo opsion”.
Osmani e përsëriti thirrjen e saj për liderët e partive parlamentare që “sa më shpejt” ta gjejnë një rrugëdalje për konstituimin e Kuvendit, tha Presidenca në një komunikatë pas takimit të enjten.
Kosova është pa institucione të reja edhe katër muaj pas mbajtës së zgjedhjeve parlamentare, pasi deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin të një marrëveshjeje politike, duke qenë se asnjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës nxori një aktgjykim më 26 qershor, i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin – pra deri më 26 korrik.
Në ditën e dytë të konsultimeve, Osmani priti në takim bashkëkryetarin e partisë Guxo, Faton Peci; kryetaren e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila.
Peci tha se u bën thirrje të gjitha partive politike “t’i thërrasin arsyes, t’i thërrasin mendjes së shëndoshë dhe të mundësojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe konstituimin e tij”.
“Vetëm në këtë mënyrë do të mund ta kemi një qeveri brenda 15 ditësh”, tha ai.
Osmani gjithashtu u takua edhe me përfaqësuesit e partive nga komunitetet joshumicë: kryetarin e partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq; kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka; kryetarin e Iniciativës së re Demokratike të Kosovës, Elbert Krasniqi; kryetaren e Unionit Socialdemokrat, Duda Bale; kryetaren e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi; kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha; kryetarin e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli; dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Boshnjakëve, Rasim Demiri.