Kryetari Kuvendit Gramoz Ruçi mbajti gjatë seancës së fundit plenare për këtë legjislaturë ditën e sotme, fjalimin e fundit në krye të Kuvendit.
Teksa falënderoi bashkëpunëtorët e tij ndër vite dhe familjen, Ruçi shprehu mirënjohje për qytetarët e Tepelenës dhe Fierit, të cilët e kanë zgjedhur si përfaqësuesin e tyre në parlament këto 30-vite, nga të cilat 16 vite i ka kaluar në pushtet dhe 14 vite në opozitë.
“Jam mirënjohës qytetarëve të Tepelenës dhe qytetarëve të Fierit të cilët më kanë zgjedhur si përfaqësuesin e tyre në këtë parlament.
Doja të falenderoja dhe njëherë familjen time, për mbështetjen e dhënë.
Për rreth 30 viteve në këtë sallë, 16 vite i kam kaluar në pushtet dhe 14 vite në opozitë, por në Kuvendin e Shqipërisë kam ardhur si shërbyes publik”, tha Ruçi.
Kujtojmë se Gramoz Ruçi lajmëroi tërheqjen nga politika gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së rreth 3 javë më parë, ku theksoi se do të jap dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe angazhimi politik në muajin shtator.