Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i parë i vendit, Behgjet Pacolli, është takuar sot në Nju-Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me presidenten e Mauritiusit, Ameenah Gurib.
Pacolli ka bërë të ditur, se takimi ditën e sotme me Guribin ka qenë “shumë i ngrohtë dhe miqësor”.
Po ashtu Pacolli ka paralajmëruar njohjen e Kosovës nga Mauritiusi.
“Vazhdojnë takimet dhe agjenda e ngjeshur në kuadër të takimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Neë York. Para pak qastesh u takuam me Presidenten e Mauritiusit, Ameenah Gurib. Takim shumë i ngrohtë dhe miqësor. Lajmet e mira për njohjen zyrtare nga ky shtet mund të vijnë shpejtë. Procesi i njohjeve është i pandalshëm dhe pakthyeshëm”, shkruan Pacolli.
(S.SH/Shuplaka)