Administrata Trump do të vendosë sanskione të reja ndaj 19 rusëve, të cilët mendohet se kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.
Prokurori special, Robert Mueller ka ngritur padi ndaj trembëdhjetë prej tyre.
Sanksionet po ashtu përfshijnë ushtrimin nga Kongresi të autoritetit për të ndëshkuar Moskën për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.
Objekt ndëshkimi janë edhe zyrtarë që punojnë për agjencinë ruse të zbulimit për ushtrinë, GRU.
Departamenti i Thesarit tha se agjencia GRU dhe ushtria ruse kanë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe se kanë qenë drejtpërdrejt përgjegjëse për sulmet kibernetike të njohura si NotPetya, që goditën bizneset në mbarë Eruopën në qershor të vitit 2017.
Ndër personat e përfshirë në aktpadinë e Robert Muellerit, është edhe Yevgeny Prigozhin, i cili njihet si kryekuzhinieri i Presidentit rus Vladimir Putin.
Sanksionet e reja të administratës amerikane prekin edhe Agjencinë e Kërkimeve në Internet, për të cilën prokurori Mueller thotë se ka drejtuar në një masë të konsiderueshme ndërhyrjen kibernetike ndaj zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
(E.L/Faxweb)