Bashkia e Tiranës ka vendosur të rritë pagat për punonjësit e vet. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kreu i bashkisë tha që bëhet fjalë për rritjen më të madhe të rrogave në vitet e fundit, ndërkohë që ka theksuar që për veten rritja është zero.
“Kjo është një rritje nga e cila përfitojnë më shumë nivelet më të ulëta të pagave, ndërkohë që në nivelet e larta drejtuese të Bashkisë rritja është shumë më modeste, kurse për kryetarin e Bashkisë rritja është zero. Kështu, punonjësit administrativë do të përfitojnë rritje që variojnë nga 5 – 7%.
Ndërkohë që për punonjësit e shërbimeve (ata që në gjuhën popullore quhen punonjësit e punëve të krahut) rritja është shumë më e ndjeshme dhe shkon nga 20 deri në 25% të rrogës së tyre. Kjo është në fakt një mënyrë për të vlerësuar të gjitha ata heronj të heshtur të Bashkisë Tiranë, që nuk u qëllon shpesh të jenë në qendër të vëmendjes, por pa punën e të cilëve qyteti thjesht nuk do të funksiononte dot”, tha Veliaj përpara anëtarëve të Këshillit.
Këtë vendim, Veliaj e cilëson si një vendim të drejtë madje edhe si një vlerësim për të gjithë punonjësit e bashkisë, veçanërisht ata që bëjnë dhe punët e rënda. (D.D/Shuplaka)