Pas një lufte të madhe të shoqatave shqiptare e të huaja, me me emra të rëndësishëm publik ndërkombëtar, Lumi Vjosa u shpall Park Kombëtar.
Një nismë kjo që përkthehet në mbrojtjen e të gjithë shtratit të lumit, bregut dhe një hapësire rrethuese përgjatë gjithë Lumit.
Vjosa tashmë ligjërisht është e mbrojtur, por ky vendim i thënë nxitimthi nga kryeministri duket se ende nuk ka shkuar në veshët e disa dhjetra firmave e individëve të cilët vijojnë ende aktivitetin e tyre të punës në lumë.
Janë disa llojet e shfrytëzimit që vijojnë të kryhen në Vjosë, por më shqetësuese mbetet gërryerja e shtratit të Lumit nga firma ndërtimi apo kompani lavatriçe inertesh, që e nxjerrin materialin kum ose zhavorr me qëllim përdorimin e tij kryesisht në ndërtim.
Disa prej këtyre kompanive vijojnë ende ti mbajnë mjetet e punës në shtratin e Lumit, ndërsa të tjerë shfrytëzojnë orët kur nuk ka shumë sy që mund ti pikasin.
Gërryerja e Lumit Vjosa, aktivitet prej vitesh me radhë, ka bërë që lumi në një pjesë të tij të ndryshojë rrjedhën natyrale, në disa pjesë të tjera ndryshimi i shtratit ka bërë që toka bujqësore të përmbyten e ti marrë rrjedha, por mbi të gjitha, pikërisht kjo gërryerje inertesh prej disa vitesh ka sjellë pasoja të rënda në përmbytje banesash e tokash.
Sot, që këto aktivitete duhet të ishin frenuar, nuk ka ndodhur. Vjosa ende po grabitet, edhe pse ligji e ndalon.
E një tjetër fenomen i rrezikshëm për Lumin Vjosë mbetet edhe derdhja e mbeturinave urbane të të gjithë fshatrave që shtrihen krah Vjosës, në lumë.
Banorët si zgjidhje, në mungesë të pastrimit nga aktorët lokal, kanë vendosur që mbeturinat ti hedhin në Lum.