Nga Artan Gjyzel Hasani
U desh të ndahej nga jeta Dritëro Agolli që të dilte përsëri në skenë me tërë forcën një nga dukuritë e rëndomta të shoqërisë shqiptare, ajo e hedhjes baltë mbi cilindo artist që ka bërë më shumë hije se të tjerët mbi dhe.
Natyrisht e njëjta skenografi do përdoret edhe kur të ikë Kadareja, gjë që ai e provon prej vitesh që në të gjallë. Si ç`ka ndodhur më parë për aktorë e artistë të epokës së diktaturës që sot prehen nën dhe. Një baltosje që nuk ka të bëjë me artin e tyre.
Përgjithësisht nuk kam qenë adhurues i poetit Dritëro, edhe pse jo rrallë e kam shijuar prozën e tij.
Megjithatë…
Për të shpjeguar me gjak të ftohtë dhe mendje të kthjellët këtë dukuri të padenjë po e spostoj objektivin në një pikë tjetër të globit, në Kilin e Pablo Nerudës.
Pablo Neruda konsiderohet një nga poetët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Një poet lirik unikal. Konsiderohet i tillë në botën komuniste, ish komuniste dhe në atë perëndimore e demokratike. Konsiderohet si i tillë nga të majtë e të djathtë.
Po kush ishte Neruda?
Pablo Neruda jetoi dhe vdiq si marksist i bindur dhe ish funksionar i lartë i Partisë Komuniste të Kilit.
Ishte nga stalinistët më të spikatur të së majtës botërore.
Shërbeu si diplomat i qeverisë komuniste në vende të ndryshme të botës, senator i Partisë Komuniste të Kilit dhe këshilltar special i kryeministrit marksist Salvator Alende.
Përvec qindra perlave poetike, ishte edhe autor i disa poemave adhuruese plot superlativa jo vetëm për komunizmin, por edhe për diktatorë si Stalini, Batista dhe Fidel Kastro të cilat në disa raste i lexonte vetë në stadium para audiencash me 100000 njerëz.
Fitues i çmimit sovjetik “Stalin” dhe Leninin e konsideronte “Gjeniun e shekullit “
Si ç’shprehej ish miku i tij i ngushtë, nobelisti Oktavio Paz, “me kalimin e viteve Neruda u bë edhe më shumë stalinist i linjës së ashpër nga ç’kish qenë në fillim dhe kjo ishte arsyeja që rrugët tona u ndanë…” dhe vazhdon Paz, “por Neruda ishte padyshim poeti më i madh i epokës”.
Pas denoncimit të kultit të Stalinit nga Hrushovi, Neruda shkruajti “ kam edhe unë pjesën time në krijimin e kultit të Stalinit”. I zhgënjyer nga revolucioni kinez, fajësoi maocedunizmin dhe jo Maon, ashtu siç kish fajësuar më herët stalinizmin, por jo Stalinin.
Neruda refuzoi publikisht të dënonte persekutimin sovjetik ndaj shkrimtarëve Boris Pasternak dhe Josif Brodskij, një gjest që indinjoi edhe vetë admiruesit e tij.
Neruda i mbeti besnik deri në vdekje partisë komuniste dhe marksizmit, të cilin e perceptonte në mënyrën e tij idealiste.
Dritëroi besoi te komunizmi, si shumë korifenj të letërsisë botërore që besuan në një ideologji. Besoi si Ezra Paund te doktrina fashiste, si Gabriele D’Anuncio te doktrina fashiste ideolog themelues i së cilës ishte. Dhe janë me qindra raste të tillë ndër artistë e shkrimtarë në çdo vend e popull.
Dritëroi, ndryshe nga aventurieri pa ideale Enver Hoxha dhe banditët e tij të paskrupullt , ndryshe nga shumë dallkaukë e kameleonë të socrealizmit dhe majmunë të demokracisë të marrë së bashku, besonte me gjithë forcë në diçka.
Si edhe Neruda, Agolli besonte në teorinë dhe idealin komunist. Komunizmi ishte feja e tij, idhujt dhe kishat tokësore të së cilës më vonë edhe e zhgënjyen.
Por edhe në diktaturë funksionari i lartë komunist Dritëro ishte më njerëzor, më i ndershëm dhe më i lirë, se sa shume shkrimtarë të tjerë sot në kushte lirie dhe demokracie.
Të paktën kështu thonë njerëzit që i lidhi halli dhe puna me të.
Deri më sot nuk dimë që arshivat dhe dosjet ta hedhin poshtë këtë pohim.
Deri më sot përbaltësit e Agollit nuk kanë vënë në dispozicion të publikut ndonjë krim të dokumentuar të ish funksionarit komunist Agolli.
As ndonjë spiunim a marrje në qafë të kolegëve. As ndonjë skandal të ulët moral të tij. Përkundrazi njerëz, shkrimtarë dhe poetë të padëshirueshëm të atij sistemi kanë shkruar në kujtimet e tyre “na ndihmoi Dritëroi, na përkrahu Dritëroi“.
Nuk dimë as ndonjë akuzë konkrete nga rivali Ismail kundër Agollit. Nuk dimë asnjë akuzë konkrete dhe të artikuluar nga e djathta shqiptare kundër komunistit Dritëro.
Dhe flasim për një vend, popull dhe epokë ku nuk ka mbetur njeri pa u cënuar nga lehtësia e papërballueshme e përbaltjes.
Përbaltësit i tundin si njollë faktin që ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, një vend pune që nuk përbën as krim e as turp as me logjikën e sotme të postkomunizmit.
Epoka jonë e tranzicionit dëshmon shpesh se si poetë dhe shkrimtarë të mirënjohur, heronj disidence dhe ish të burgosur të ndërgjegjes janë zhgrryer në batakun që krijon politika dhe kanë shitur edhe shpirtin për të siguruar një kafshatë në pjatancën vezulluese të lavdisë së rreme dhe zhvatjes materiale.
Dhe në mbyllje të këtyre shënimeve:
Kur antikomunistit Borges i kërkuan mendimin e tij për Nerudën, shkrimtari i madh argjentinas tha
“ Neruda ishte një poet i shkëlqyer, shumë i shkëlqyer, por një njeri i keq.”
Unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë të thuhet pjesa e dytë e kësaj fjalie për Dritëroin, as nga adhuruesit e tij të shumtë e as nga kundërshtarët e tij ideologjike në të cilët bëj pjesë edhe unë.
Dhe për sa kohë që është kështu,
“Dritëroi ndriti më shumë si njeri, se sa si poet“, do të them unë.
“Edhe si njeri, edhe si poet!”, do të ma kthejnë adhuruesit e tij.