Kreu i opozitës Lulzim Basha vetëm pak minuta para votimit për president ka theksuar se propozimi i tyre është i thjeshtë dhe i ndershëm: qeveri teknike, veting të vërtetë të nesërmen e qeverisë teknike dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme për demokraci të vërtetë.
“Propozimi jonë është i thejshtë dhe i ndershëm: qeveri teknike, veting të vërtetë të nesërmen e qeverisë teknike dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme për demokraci të vërtetë. Por Edi Rama e refuzon këtë kërkesë qytetare sepse Edi Rama nuk do as vetingun e vërtetë, as zgjedhjet e lira.
Rruga në të cilën ai kërkon ta fusë Shqipërinë është rrugë qorre. Rruga ku ai po kërkon të tërheqë një popull të tërë me zgjedhje pa alternativë, pa opozitë, në votime të diktuara nga krimi, është rruga e shkatërrimit të demokracisë dhe instalimit institucional të tiranisë së krimit, drogës dhe korrupsionit. 27 vite më parë, Shqipëria u ngrit për të braktisur një herë e mirë këtë rrugë që e çoi kombin tonë, Shqipërinë tonë drejt falimentimit. Sot, bashkimi ynë popullor paqësor, por i pathyeshëm është garancia e demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe Republikës së re që po vjen.”, shkruan Basha.
Vetëm pak minuta më parë Komisioni i Ligjeve i dha “OK” kandidaturës së Ilir Metës për President pasi plotëson të gjitha kërkesat kushtetuese dhe ligjore.
Kandidatura e Ilir Metës u paraqit nga 23 deputetë. Ky komision u drejtua nga Vasilika Hysi dhe kandidati Meta në këtë komision paraqiti jetëshkrimin, vetëdeklarimin e garantimit të identitetit.
Sipas KQZ-së rezulton se Ilir Meta nuk është në kushtet e ndalimit. Po kështu plotëson kushtin që është mbi 40 vjet dhe kadidatura e tij përmbush kushtet ligjore dhe nuk ka asnjë problem kushtetues dhe do t’i kalojë kjo kandidaturë kuvendit. Sipas komisionit të ligjeve Ilir Meta është kandidat i vetëm për president dhe për këtë të gjithë deputetët janë dakort.
Në raundin e katër për zgjedhjen e presidentit, i cili do zhvillohet sot në orën 17:00 do të ketë votim të thjeshtë sipas rregullores. (J.V/Shuplaka)