Akujt mes Edi Ramës dhe Tom Doshit tashmë janë thyer, dhe deputeti ‘’problematik” i Shkodrës duket se po bën hapa të mëdhenj përpara në marrëdhënien e tij me kryeministrin.
Pasi u shfaqën së bashku në Shkodër, në një nga mitingjet më të vështira për socialistët, Tom Doshi ndodhet sot në një takim në zyrën e Ramës.
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se pas mbledhjes së Kryesisë, ku dha dhe porositë për zgjedhjet, Rama po zhvillon një takim me Tom Doshin, kandidatin e PS-së për Bashkinë e Shkodrës Valdrin Pjetri si dhe me kreun e grupit parlamentar Taulant Balla.
Ndërkohë që në orën 11:00 në zyrën e kryeministrit Rama pritet që të mbërrijë Odri Glover, kryesuesja e misionit të OHDIR në vendin tonë.
Nga ana tjetër edhe në selinë blu kanë nisur lëvizjet, ku kryedemokrati Basha do të ketë një takim me aleatët e tij, ku pritet të vendoset lidhur me aksionin që do të vijojë opozita.
Kjo pritet të jetë një javë vendimtare për fatet politike të vendit, për shkak se opozita e bashkuar lançoi të premten e protestës se do të ketë protesta në çdo Bashki ku do të shkojë Rama, për të prezantuar kandidatët.
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një dorë të jashtme, që të rikthejë forcat politike në shinat e dialogut dhe të gjetjes së një marrëveshje në minutat e fundit.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post