Ende asnjë gjurmë nga futbollisti argjentinas Emiliano Sala, i cili prej tre ditësh rezulton i zhdukur së bashku me avionin e tij. Sipas ekspertëve dyshohet se shkak për aksidentin është bërë një masë akulli që ka pasur në njëri nga krahët avioni, referuar dhe mesazheve të fundit që Sala ka shkëmbyer me familjarët e tij, ku tregonte se gjendja ishte ‘’copë-copë’’.
Ekspertët mendojnë po ashtu se avioni ka rënë në tokë i pashkatërruar në ajër, në të kundërt tashmë do të ishte gjetur ndonjë mbetje e tij, pas tre ditëve që është kërkuar intesivisht. Policia e Guernseyit ndërkohë është mbledhur mëngjesin e sotëm për të marrë një vendim nëse do të rifillojë kërkimi për avionin.
Presidenti i Cardif Mehmet Dalman, skuadër për të cilën Sala kishte nënshkruar së fundi, thotë për mediat se shanset që ai të jetë gjallë janë të pakta, pavarësisht se kërkimet nuk duhet të ndalen. Dalman tha më tej se udhëtimi me këtë avion nuk ishte organizuar nga klubi, duke hequr kështu përgjegjësinë, shkruan media britanike.
“Ne vazhdojmë të mbledhim të dhëna për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me avionin,” tha Dalman për Sky Sports News.
“Çdo gjë tregon për një aksident tragjik, me të vërtetë. Ne do të vazhdojmë të shpresojmë dhe të lutemi, por gjithashtu duhet të jemi realist, gjërat po duken keq”, është shprehur më tej presidenti Dalman.
(E.K/FAXWEB.AL)