Gazetari Elvi Fundo dhe drejtues i portalit CNA.al, në një lidhje skype për Fax News për të folur mbi paketën antishpifje të propozuar nga kryeministri Edi Rama, u shpreh se kreu i qeverisë po e bën këtë për show dhe për ti bërë presion mediave që shkojnë kundër rrymës qeveritare.
Më tej gjatë fjalës së tij Fundo u shpreh se me këtë që po bën kryministri thjeshtë do të nxisë më tepër urretje në publik.
Ndërkohë që ai shtoi se ajo që e shqetëson më shumë në këtë debat është heshtja e opozitës për këtë çështje.
“Këtë ligj po e përdor një kryeministër që në opozitë çfarë nuk ka shpifur. Kjo që do të bëjë kryeministri është si një formë presioni. Së pari përpara se Rama të urdhërojë ligjin antishpifje duhet të pushojë ato 30 persona që punojnë te ER-tv. Kjo do të ishte më e mirë. Nuk ka pse të bësh shpifje, sepse ne mund të përdorim satirën. Kjo që po bën Rama është show dhe propagandë që të na bëjë presion. Që ne gazetarët të ulim presionin për të shkruar ndaj tij dhe të marrim lajme të përgatitura nga zyra e Fugës.
Ka pronarë mediash që përdoren nga qeveria për interesat e saj dhe askush nuk i pranon. Unë nuk mendoj se Ramës i ‘djeg’ gjë, por mendoj se po e bën për show. Ai nuk i kontrollon dot! Nuk e mbyll dot frymën e rrjetit! Nuk mund të më ndali mua! Me këtë që po bën kryeministri do të nxisë me tepër urrejtje ndaj tij. Paketën ta marrë Endri Fuga ta vërë poshtë jastëkut.
Ajo që kam më shumë frikë është heshtja e opozitës. Mendoj se kryeministri do ta humbë këtë betejë. Kur qeveritë shkojnë në gramat e fundit tentojnë të bëjnë dy gjëra: një që të fusin ligjin e plehrave dhe dy të sulmojnë mediat.
Po çfarë do ti bëjë Edi Rama, mediave online!? Nuk ka gazetar që ka problem, ta thotë të vërtetën. Nëse ai padit për shpifje mediat, ne mund ta padisim kryeministrin çdo ditë për mashtrim.”-u shpreh Fundo.
(M.Q/Faxweb)
Discussion about this post