Kreu i grupit parlamentar të PS-së Tauant Balla ka kërkuar që të shtyhet votimi i dekretit të presidentit Meta për pakten antishpifje, e cila është kundërshtuar fuqimisht nga njerëzit e medias në Shqipëri, dhe ka hasur kundërshti dhe nga vetë OSBE.
Balla tha se Kuvendi duhet të presë opinionin e Komisionit të Venecias për paketën antishpifje, duke qenë se ai do të mbërrijë në Tiranë rreth fundit të muajit Mars, në datat 20-21.
“Kërkojmë që të shtyhet diskutimi për median audiovizive derisa të vijë opinioni i Komisionit të Venecias”, u shpreh Balla.
Mazhoranca e quajti politik dekretin e Metës, por kërkoi që ai të shqyrtohet në 21 Mars, dhe të hiqej nga rendi i ditës, së sotme, kërkesë kjo që çuditërisht nuk u prit mirë nga opozita parlamentare e kryesuar nga Rudina Hajdari.
Ndërkohë që më herët, Balla u shpreh se duhej ti jepej fund informalitetit në fushën e medias.
“Historia e informalitetit në sektorin e mediave do të marri fund njëherë e mirë. Ne kemi vijuar komunikimin tonë me partner të rëndësishëm, për të bërë ccdo rishikim të nevojshëm në ligj. Me dy reporterët kemi qenë ne komunikim të vazhdueshëm për disa ceshtje që ata kanë kërkuar sqarim”, tha më herët Balla.
Një nga kundërshtuesit më të mëdhenj të paketës Antishpifje ka qenë dhe reporteri për Shqipërinë në Grupin PPE të Parlamentit Europian, David Leg. Ai deklaroi dje se në rast se do të rrëzoheshin dekretet e Presidentit për ligjet e medias, rrezikohej seriozisht hapja e negociatave.
Duke theksuar se grupi i PPE beson fort në hapjen e negociatave, ai paralajmëroi nga ana tjetër se Shqipëria duhet të respektojë kriteret e Kopenhagenit që janë një standart bazik e minimal për një vend kandidat.
“Po përsëris qendrimin tim mbi rrezikun që mbartin ligjet e reja për median në lidhje me çeljen e mundëshme të negociatave me BE. Grupi PPE i Parlamentit Europian beson fort në çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Por Shqipëria duhet të respektojë kriteret e Kopenhagenit që janë një standart bazik e minimal për një vend kandidat. Nëse qeveria Rama do të miratojë në plenare ligjet në formën aktuale atehere ajo po vë në rrezik serioz shansin për celjen e negociatave të anetarsise në BE.
Qeveria Rama duhet patjetër të përmbushë rekomandimet specifike të dhëna nga Komisioni Europian dhe nga Këshilli i Europës”, thuhej në reagimin e tij.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post