Disa ditë para ndërrimit të viteve, Kryeministri Edi Rama njoftoi se 1 milionë shqiptarë do të përfitojnë mbështetje financiare për të lehtësuar inflacionin e shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Teksa e quajti “Pakoja e madhe” ai njoftoi edhe kategoritë përfituese të cilat do të përfitonin bonusin. Pjesa dërrmuese e qytetarëve të Elbasanit pasi janë njohur me këtë lajm, pak besojnë se kjo mbështetje do tu vijë në ndihmë shtresave në nevojë. Dyshues dhe të pasigurt për kohën kur do të shpërndahet ata e lidhin premtimin e Kryeministrit më së shumti me zgjedhjet elektorale që do të zhivllohen në 14 maj të këtij viti. Sipas tyre nëse mbështetja finaciare do të ishte disa mujore, ndoshta do ti ndihmonte sadopak përballë rritjes kolasale të çmimeve dhe kostos së jetesës.
“E gjykojmë shumë të drejtë pakon, por është shumë e pakët, e vogël, nuk është kaq e madhe por ne pensionistëve na shtohet pak pensioni. Populli nuk është se do përfitoj, rinia ka ikur jasht shtetit dhe këtu kanë ngelur pleqtë. Shumica u harxhua nga shpenzimet e Vitit të Ri.
“Nuk kam marrë gjë dhe nuk e di. Nuk e besoj se do ndimohen sepse jam e zhgënjyer pasi kam qenë gjith jetën e divorcuar me tre fëmijë dhe asnjëherë nuk më kanë dhënë asnjë ndihmë. Nuk kam shpresë nga qeveria, çdo gjë e kemi me djersë, kto që thuhen janë për fushatë. Vitin e Ri e kaluam me të keq se jam pa punë.”
“Ky popull ka marrë fund se në këto 30 vite këta pushtetarët nuk e kanë venë dorën në zemër për pensionistët, na kanë lënë me 100 mijë lekë të vjetra, turpi më i madh, kemi punuar 40 vite në punë shteti. Qëllimi i tyre është se po vinë votimet dhe ka hall ta marri dhe njëherë pushtetin dhe ta shtrydhi mirë këtë popull. Në kohën e Enverit nuk kemi vuajtur kaq shumë sa tani. Pako po jepet për fushatë, por gjithsesi kjo pako nuk e ndihmon popullin sepse kur ra kriza e madhe ky tre muaj dha ndihma ndërsa Kosova që është shtet i ri i dha 100 euro çdo muaj pensionistëve dhe akoma nuk ja ka ndërprerë. Enver Hoxha ka thënë që sa më shumë ta varfërosh një popull, aq më pak do të ndihet, dhe ky atë po bën që populli të arrijë atje ku mos të ketë fuqi të lëvizë për asgjë”
“Nuk e shoh fare pakon e Kryeministrit, nuk kemi marrë asgjë. Nuk e kuptoj, nuk e besoj”, kanë qenë këto disa nga reagimet e qytetarëve të Elbasanit të cilët nuk besojnë në ndihmën ekonomike nga qeveria.
Por ka dhe të tjerë të cilët mbështetjen e qeverisë e vlerësojnë dhe besojnë se ajo do ti ndohmojë në përballimin e kostove të jetesës.
“Kam shumë besim te pako ekonomike, kaq pati mundësi kaq na dha por ja dimë shumë për faleminderit, kaq ishte mundësia. Ai nuk e dha për zgjedhjet pakon, ashtu e pa të arsyeshme ashtu e mendoi dhe na e dha, ja dimë shumë për faleminderit”
“Kjo pako dhe mund ti ndihmojë njerëzit, nuk kam njohur ndihmë nga shteti por besoj se do bëhet diçka në vazhdim”, janë shprehur qytetarë të tjerë që presin shpërblimin dhe vlerësojnë nismën e qeverisë.
Kujtojmë se kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk e ka kursyer kritikën për qeverinë duke e cilësuar ‘pilulë elektorale’ paketën anti inflacion. Po ashtu shtoi se duhet të kishte dhënë mbështetje rrogën dhe pensionin e 13-të.
Discussion about this post