Ka tre ditë që Policia Shqiptare po heton në lidhje me rastin e kalimit të armëve me postë nga Shqipëria drejt Anglisë. Rast ky që u evidentua në aeroportin e Rinasit dhe për zbardhjen e tij u angazhuan autoritete shqiptare dhe britanike.
Ndërkohë që Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën “arrest me burg” për Sajmir Cullhaj si i dyshuari kryesor për dërgimin transit të armëve.
Nga ajo që mesohet është se 32-vjeçari Cullhaj ka mohuar akuzat duke thënë se pakot ia kishte dhënë një mik i tij dhe nuk e dinte çfarë kishte brenda.
“Përmes mikut tim me emrin Tani, që më tha se do çonte pako në Britani, shkova tek DHL për të dorëzuar pakot por nuk e dija se çfarë kishte. Unë shkova me makinën e tij te DHL për të dorëzuar pakot, por kur më arrestoi policia, aty mora vesh që në ato pako kishte armë,” mësohet të ketë thënë Cullhaj.
Një artikull në lidhje me këtë çështje ka shkruar edhe prestigjozja britanike Daily Mail.
“Një komplot për të futur 3 armë të tipit Kallash në Britani nëpërmjet një kutie transporti është zbuluar nga autoritetet shqiptare. Policia dyshon se pjesët e armëve që kishin destinacion të fundit Londrën do të përdoreshin për sulm terrorist ose për krimin e organizuar,” shkruan Daily Mail.
(E.K/SHUPLAKA)