Deputeti Ralf Gjoni e nisi bisedën në studion e “Natë me Xhaxhiun” në Fax News duke treguar një ndodhi të vitit 1985, pikërisht më 11 prill të atij viti, ditë kur vdiq diktatori Enver Hoxha.
“Me 11 prill kur vdq Enveri më ka dhënë një dru të mirë babai. Zbrita poshtë shtëpisë, jetonim tek Xhamlliku dhe i shihja të gjithë duke qarë, edhe fëmijët po ashtu. Ata më pyetën ‘po ti pse nuk qan’. Ju thashë se unë nuk kam qarë kur më vdiq gjyshi jo më do qaj për Enverin.
Futem në shtëpi dhe i tregoj babit, ai më tërheq për flokësh. Më thotë më mirë të të vras unë se sa të na vrasin ata të gjithë si familje. Nuk e harroj si 10 vjeçar frikën e prindërve të mi ndaj atij sistemi, dhe nuk e imagjinoj dot që edhe sot të kemi frikë nga diçka e tillë”.
Gjoni e lidhi këtë ngjarje me atë çfarë i ndodhi diten kur mori zyrtarisht mandatin e deputetit ku teksa ishte nisur për në sallën e Parlamentit, dikush i doli poshtë banesës së tij dhe e spërkati me bojë në fytyrë.
Ai tha lidhur me këtë se tek pragu i shtëpisë nuk e priste, sepse në të kundërt do të kishte marrë masa, “por tani që ka ndodhur, kam marrë masa dhe do të mbrohem” tha ai.
Gjoni tha se 90% e anëtarëve të LSI mbeten miqtë e tij.
“Jam ende anëtar i LSI madje edhe i Komitetit Drejtues Kombëtar i zgjedhur nga anëtarësia. Ju bëj thirrje drejtuesve të LSI që të mbajnë një qëndrim korrekt ndaj emrave të listës shumë emërore të deputetëve të saj. Unë i kam bërë një nderë shumë të madh duke qenë në Parlament. Meta më ka thënë kur me ka vendosur në listë se ti do të jesh në Parlament ndërsa më vuri të 11. A e di LSI këtë gjë apo jo…!”
Gjoni tha se midis tij dhe Metës nuk ka ndodhur asgjë, duke u shprehur se ka patur qëndrimin se ai nuk duhej të bëhej President. Sipas tij, ky vendim krijoi një gjendje morti në LSI, pasi ai e kishte krijuar dhe ikja e Metës për Gjonin ishte një lënie midis rrugës të një projekti të nisur përpara shumë vitesh.
“Dorën e fal, mendjen nuk e fal. Nuk kam frikë. Besoj tek forca ime dhe e familjes sime. Besoj tek miqtë e mi, tek policia, tek miqtë me influencë që më rrethojnë dhe përkrahin. Nëse ndodh më do kenë një problem të madh, kaq mund te them”, tha Gjoni duke folur për incidentin me bojën që u hodh ndaj tij.
“Ajo që na lidh është ndjenja jonë opozitare ndaj qeverisë. Ka filluar të ndjehet një frymë tjetër, është filluar të luhet parlamentesh ku flitet për gjëra konkrete, reale dhe shqetësuese. Për herë të parë debati të fokusohet tek ‘thembra e Akilit’. Debati parlamentar është zhvendosur tek sistemi dhe këtë do vijoni të dëgjoni çdo javë, për të arritur që këto parti të futen në lojë për ndryshimin e sistemit”, tha deputeti i dalë nga listat e LSI duke folur për qëndrimin që ai parashikon të mbajë opozita e re në Parlament.
Gjoni tha se kjo opozitë po ngre një kauzë shumë të rëndësishme si dhe foli për interpelancën urgjente që ka kërkuar me ministrin Lleshaj për ngjarjen në Rinas.
“Ne po ngrejmë një kauzë shumë të rëndësishme. Prezencën tonë e shoh si fillimin e një shpresë të re për të ardhmen. Ajo çfarë ndodhi në Rinas e tejkalon fantazinë e një filmi. Të cënohet siguria kombëtare në këtë lloj mënyre, filnat janë më të fortë, kjo ishte qesharake. Sot i kujtova ministrit që të mos i bien nga Kina Siguria kombëtare është në kaos.
Të futen grabitësit në mes të pistës, poshtë një avioni, me të cilin kishte mbërritur edhe Presidenti, natyrisht që ministri duhej të jepte llogari që sot, dhe jam i revoltuar se pse rregullorja e Kuvendit nuk e lejon një interpelancë urgjente brenda ditës. Me 13 deputetë të opozitës kemi kërkuar interpelancë me ministrin për të kuptuar çfarë ndodhi dhe çfarë do të bëhet për të zbuluar dhe hetuar ngjarjen”.
Gjoni tha se me ikjen e opozitës nga Parlamenti, kryetari i Komisionit Zgjedhor nuk është më, dhe u vendos që të shtyhej afati sipas tij, duke ndryshuar përbërjen e komisionit dhe duke propozar caktimin e një vëzhguesi me të drejtë vetoje. Kjo sipas deputetit u bë në mënyrë pothuajse të fshehtë dhe të njëanshme. Ai argumentoi se kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës dhe për këtë deklaroi se i ka vendosur një kusht mazhorancës.
“Sot i kam vendosur një kusht mazhorancës, nëse doni që unë të paktën personalisht të jem pjesë e atij komisioni, duhet që PS të bie dakort që të futet në program edhe ndryshimi i sistemit, ku të gjithë aktorët politik të futen në një debat të madh që të kuptojmë se çfarë sitemi na duhet. Për sa kobë që këta janë aktorët nuk kemi çfarë bëjmë tjetër veçse të luajmë me këta që kemi. Debati ynë në Kuvend do të jetë i një cilësie tjetër për ndryshimin e sistemit. Nëse mblidhemi të gjithë bashkë në një tryezë jo përjashtuese mund të arrijmë në një zgjidhje”.
Gjoni u pyet nga moderatori Rezear Xhaxhiu lidhur me planet e grupit të ri opozitar nëse kanë ndonjë synim për të krijuar një grup parlamentar apo ndonjë subjekt politik që kështu të futen me kandidaturat e tyre në zgjedhjet lokale, një pyetje të cilës ai ju përgjigj kështu: “Për zgjedhjet lokale unë nuk jam shumë i qartë, edhe nëse krijojmë një grup parlamentar, unë nuk kam asnjë lloj interesi për të krijuar një forcë politike për të dalë më kandidat në zgjedhjet lokale.
Unë mendoj se nga ana ligjore mund të zhvillohen zgjedhjet, por besoj se nuk mund të bëhen në një klimë të tillë tensioni dhe mosbesimi. Kështu që mendoj se më mirë është që të shtyhen sepse më rëndësi se zgjedhjet lokale ka rëndësi ndryshimi i sistemit zgjedhor. Për mua nuk prish punë nëse shtyhen zgjedhjet për një muaj apo edhe për një vit nëse kjo bëhet për të ndryshuar sistemin. Nuk na gjeti qameti që të qëndrojnë edhe pak më shumë kryetarët e bashkive në detyrë nëse bëhet për depolitizimin dhe përmirësimin e sistemin. Jemi i vetmi vend jo në Europë por edhe në rajon, që jemi marrë peng nga klima e mosbesimit. Nëse ata do të tregojnë se nuk kanë vullnet, ne do të kërkojmë pse jo vullnetin e elektoratit”.
Gjoni foli edhe për raportin e tij me LSI dhe drejtuesit e saj, ku theksoi se me disa prej tyre i ruan kontaktet, por tha gjithashtu se ndjen keqardhje sa i përket kursit politik që ka marrë kjo parti gjatë vitit të fundit.
“Kalimi në opozitë në një mënyrë të pakuptimtë dhe hyrja në krah të PD u kritikua nga anëtarësia. Punët po shkonin mirë me socialistët, nuk kishin pse e prishnin koalicionin. Një pjesë e madhe e demokratëve nuk janë dakort më koalicionin e PD me LSI. Problemi i saj është vajtja pas lokomotivës së PD. Por është në kohë për tu dorëhequr nga kjo marrëzi dhe besoj se mund te rikuperohet dhe të tërheq edhe një lloj elektorati të ri.
Kur LSI drejtohej nga Meta, është njohur për një politikë konstruktive dhe realiste”.
“Sot duhet një pakt kombëtar për rikonstrukturimin total të republikës”, deklaroi Gjoni, duke shprehur një frazë të cituar më herët nga disa eksponentë të LSI ku ndër ta edhe Luan Rama.
(F.Gj/FAXWEB.AL)
Discussion about this post