Gjermania ka vendosur të pranojë zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumenteve, i njohur si regjimi i Apostille-s.
Sipas Deutche Welle, ky vendim përmirëson shërbimet ndaj qytetarëve që duhet të paraqesin dokumente në Gjermani ose anasjelltas.
Por cili është përfitimi? Deri më sot, mes Shqipërisë dhe Gjermanisë përdorej procedura e legalizimit të dokumenteve, pra procedura e njohjes së rregullshmërisë së dokumentit të huaj.
Bazuar në këtë procedurë, duhej që dokumentet më parë të certifikoheshin tek autoritetet gjermane e pastaj në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë.
Por me zbatimin e këtij regjimi, mjafton që dokumentet thjesht të pajisen me vulën Apostille nga autoritetet gjermane dhe mund të përdoren si të tilla edhe në Shqipëri.Aplikimi i vulës Apostille i kursen qytetarëve kohën edhe shpenzimet.
“Së pari tani e tutje atyre nuk u duhet të paguajnë më tarifën e legalizimit të dokumenteve. Së dyti duke pasur parasysh kohën e gjatë dhe mbingarkesën që mbartte legalizimi i dokumenteve, si dhe shqetësimin për afatet shumë herë të kufizuara të vlefshmërisë së disa dokumenteve, tani është e dukshme se procedura shkurtohet shumë në kohë, gjë që u lehtëson ndjeshëm jetën të gjithë qytetarëve që dërgojnë për arsye të ndryshme dokumente në Shqipëri.” – u shpreh Belinda Shtylla, konsulle pranë Ambasadës shqiptare në Berlin.
Në Shqipëri vula Apostille merret vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, ndërsa në Gjermani merret te autoritetet kompetente të landeve, të cilat janë të listuara në websitet për informimin e qytetareve: Bezirksregierung, Regierungspräsidium, Landesverwaltungsamt, Bundesverwaltungsamt apo Ministria e Brendshme dhe Landgericht. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post