Delegacioni palestinez fitoi të drejtën për të ngritur flamurin e tij në selinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), pas një votimi simbolik që u mbajt të hënën gjatë Asamblesë vjetore të organizatës në Gjenevë.
Rezoluta u propozua nga disa vende përfshirë Kinën, Pakistanin dhe Arabinë Saudite, dhe u miratua me 95 vota pro, 4 kundër dhe 27 abstenime. Kundër rezolutës votuan Izraeli, Hungaria, Çekia dhe Gjermania, ndërsa Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Izraelit dhe donatori më i madh i OBSh-së, nuk morën pjesë në votim.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur mbështetja ndërkombëtare për shtetësinë palestineze po rritet, dhe pas një fushate të suksesshme që u mundësoi palestinezëve vitin e kaluar të marrin pjesë më gjerësisht në punën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Është një veprim simbolik, por me shumë domethënie. Tregon se ne jemi pjesë e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e shëndetësisë,” tha Ibrahim Khraishi, ambasadori palestinez në OKB në Gjenevë.
Franca dhe Japonia votuan pro rezolutës, ndërsa Britania e Madhe abstenoi. Ky votim shihet nga disa si një sinjal që Franca mund të jetë afër njohjes së shtetit palestinez, një hap që shumë vende evropiane ende nuk e kanë ndërmarrë.
Në emër të Libanit, delegatja Rana el Khoury deklaroi se kjo fitore simbolike është “një rreze shprese për popullin e guximshëm palestinez, vuajtjet e të cilit kanë arritur nivele të padurueshme,” duke iu referuar konfliktit të vazhdueshëm në Rripin e Gazës.
Nga ana tjetër, Izraeli kundërshtoi fuqishëm vendimin. Ambasadori izraelit, Daniel Meron, e cilësoi rezolutën si një “kërcënim ndaj rendit ndërkombëtar” dhe tha se po promovohet “simbolizmi politik në vend të standardeve ligjore”.
Aktualisht, Palestina ka statusin e vëzhguesit në OBSh dhe në shumë agjenci të tjera të OKB-së. Megjithatë, së fundmi i është dhënë e drejta për të marrë njoftime shëndetësore ndërkombëtare, në kuadër të rregullave globale për kontrollin e shpërthimeve të sëmundjeve.
Pavarësisht se rreth 150 shtete në botë e kanë njohur Palestinën si shtet të pavarur, shumë prej fuqive të mëdha – përfshirë SHBA, Britaninë, Gjermaninë dhe Japoninë – ende nuk e kanë bërë një hap të tillë.