Një fëmijë rreth 5-vjeç është gjetur i pajetë paraditen e sotme në zonën e lumit të Shkozës, në Tiranë.
Dyshimet janë se trupi i pajetë i përket Klodian Hashimit, i cili u raportua i zhdukur nga familja rreth dy javë më parë.
Policia po verifikon rastin, dhe po heton lidhur me shkaqet që kanë çuar në vdekjen e të miturit.
Sipas familjarëve të Hashimit, 5-vjeçari kishte qenë duke luajtur pranë banesës në momentin kur ishte zhdukur, ndërsa fillimisht ata ngritën dyshime se ai mund të ishte trafikuar.
Gazetari i Fax news Sokol Dema ndodhet tashmë pranë vendit ku është gjetur trupi i pajetë i 5-vjeçarit, i cili ende nuk është nxjerrë prej aty.
Nxjerrja e trupit të pajetë është shoqëruar me revoltë nga komuniteti rom, të cilët shprehen se janë diskriminuar vazhdimisht nga ana e shtetit, ndërkohë që kërkojnë ndërtimin e një muri rrethues.
“Pse i kemi fëmijët e tepërt ne, na diskriminojnë për shkak të ngjyrës”, shprehen ata.
Ata thonë se janë lënë në harresë, dhe se ndërtimi i murit është kërkuar dhe përmes një peticioni që i është dorëzuar Bashkisë së Tiranës.
Njoftimi i policisë:
Më datë 01.03.2020, rreth orës 12:15, në Shkozë, në një kanal kullues në afrësi të banesave sociale dhe ngjitur me lumin e Lanës është gjetur i dekompozuar fëmija K.H, 4 vjeç, i cili ishte denoncuar nga prindërit si i humbur mbrëmjen e datës 17 shkurt 2020
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ku paraprakisht dyshohet se është mbytur aksidentalisht.