Shkodra është tronditur në orët e para të mëngjesit të sotëm nga dy shpërthime me tritol të ndodhura në lagjen Qafë Hardhi.
Burime bëjnë me dije se dy shpërthimet e njëpasnjëshme janë regjistruar rreth orës 02:30 të mëngjesit, të cilat kanë shkaktuar një panik në të gjithë zonën, pasi zhurma ka qenë shumë e madhe.
Nga të dhënat e para bëhet me dije se tritoli është vendosur pranë banesës së shtetasit Nikollë Arraj, i cili është babai i ish-basketbollistit të Vllaznisë Nikolin Arraj. Ky i fundit së bashku me familjen e tij kanë qenë në banesë në momentin kur ka ndodhur shpërthimi.
Arraj ka punuar për disa kohë edhe si punonjës i tatimeve në Shkodër, ku ka pasur dhe një përballje me drejtësinë, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Lënda plasëse është vendosur pranë portës, dhe ka shkaktuar dëme të shumta materiale, siç mund të shihet dhe në videon e siguruar nga Fax News. Shpërthimi me tritol dyshohet se është kryer me telekomandë, pasi banesa ndodhet e rrethuar, dhe autori nuk ka pasur mundësi të largohej me shpejtësi prej aty.
Fatmirësisht derimë tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e rastit.
Derimë tani nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e policisë lidhur me ngjarjen.
(E.K/Faxweb.al)