Mund të jenë pamje shqetësuese për dikë, por po kaq të njohura për dikë tjetër nëse ka parë filmin ”The Revenant”.
As më shumë dhe as më pak, sipas shkrimtares Flutura Açka, kjo është protesta e një kali në Kep të Rodonit që ka ikur larg betonit e që në breg ka gjetur plehrat.
”Këtë kalë e ngarkuan të mbante qereste për sheshin e Tiranës. I thanë shesh, dhe kur mbërriti kali i gjorē, pa se ishte kodër. ‘Po ky nuk është shesh,’ tha kali që, t’i japim hakun, ka njohje të mira mbi kodrat dhe malet.
‘Ti nuk merr vesh nga arti,’ i thanë, dhe i treguan një pikturë të Magritte, ku llulla nuk quhej llullë. Kur pa se në anët e sheshit-kodër në mes të Tiranës, që kishte marrë pamje çibani, po zgjateshin burgjitë nga do të dilte gazi i makinave, që do të parkonin në nëndhesë – fragrancë që do t’i nanuriste fëmijët shqiptarë që do tē shëtisin në shesh, që do t’i parfumoste vajzuket belholla të shëtitjeve të mbrëmjeve, që do t’i pahiste politikanët që do të shfaqeshin atypari për të broçkullisur në dëgjesat populiste – kali ynë vendosi të ikte larg nga Tirana dhe të vdiste në paqe në breg të detit.
Edhe aty betoni po afrohet dhe kodrat po hahen, por të paktën sa të tretet ai, ka edhe ca kohë…”, shkruan Açka duke dhënë mesazhin e fuqishëm për betonin që ”dergjet” rrugëve të Tiranës.
Discussion about this post