Një ngjarje e rëndë është shënuar në provincën jugperëndimore të Sichuanit në Kinë, këtë të premte.
Një grua ka sulmuar në mënyrë të papritur me thikë fëmijët në një kopësht duke lënë të plagosur 14 prej tyre.
Autoritetet thonë se agresorja 39-vjeçare përdori një thikë kuzhine për të qëlluar nxënësit, këta teksa ktheheshin për në klasat e tyre, pas stërvitjes së mëngjesit që është e zakonshme në kopështin e tyre.
Pamjet e publikuara nga mediet online tregojnë fëmijët me rroba të gjakosura, disa prej të cilëve edhe me prerje të shkaktuara nga thika në fytyrat e tyre, momente këto vërtetë të rënda.
Policia shkoi menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmijët u transportuan për trajtim mjekësor në spital. Gruaja që ndërmori sulmin është arrestuar, ndërsa hetimet për të mësuar arsyet e këtij sulmi vazhdojnë.
Sulmi ndodhi rreth orës 9:30 të mëngjesit me orën lokale. Në fakt, sulmet me thika ndaj nxënësve të shkollave nuk janë të pazakonta në Kinë, aty ku gjatë viteve të fundit janë regjistruar disa raste incidentesh me pasoja deri në vdekje për fëmijët.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post