Ditën e sotme dy ish-drejtorët e rrugëve Dashamir Xhika dhe Andi Toma do të njihen me masën e Sigurisë.
Ata u arrestuan dy ditë më parë dhe sot kanë dalë para Gjykatës së Elbasanit, teksa akuzohen për shpërdorim detyre.
Xhika përfaqësohet nga avokati Artan Hajdari, ndërsa Toma nga avokati Neshat Fana. Ata janë shprehur se klientët e tyre janë arrestuar politikisht, dhe se nuk janë përgjegjës për ato që akuzohen.
Në këtë seancë ka qenë i pranishëm dhe ish-ministri i Transporteve, deputet i qarkut të Elbasanit, Edmond Haxhinasto. Avokati i Andi Tomës, Neshat Fana kërkoi përjashtim të gjyqtares nga procesi. Ai theksoi se kontrolli i banesës së klientit të tij është bërë në orë të vota të natës. “Banesa është e shenjtë, s’mund të ketë kontroll pas orës 20:00. Policia ka terrorizuar familjen, kontrolli i banesës natën”.
Në debate u përfshi edhe prokurorja Armanda Xhaferri e cila akuzoi avokatët mbrojtës se duan të bllokojnë procesin. “Kërkesa për përjashtim për të penguar procesin”, tha Xhaferri. Pas debateve për përjashtimin e gjyqtares, seanca u ndërpre për të marrë në shqyrtim këtë kërkesë të avokatëve mbrojtës Hajdari dhe Fana.
Gjyqtarja Maliqi u tërhoq nga trupa gjykuese, duke shkaktuar dhe shtyrjen e seancës.
Prokuroria e Elbasanit urdhëroi arrestimin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të rrugëve Dashamir Xhika, pas abuzimeve që janë konstatuar në procedurat tenderuese dhe mbikëqyrëse në ndërtimin e rrugës Elbasan-Gjinar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 500 milionë lekë.
Procedurat për ndërtimin e kësaj rruge kanë nisur që në vitin 2009 kur në krye të Drejtorisë së Rrugëve ishte Andi Toma.
(E.K/FAXWEB)
https://www.youtube.com/watch?v=zU4g1AN109w&feature=youtu.be