Ka nisur me shtyrje seanca e dhënies së masës së sigurisë në Gjykatën e Tiranës për Tire Alldërvishin, sanitaren e spitalit Covid 2 e cila akuzohet për korrupsion, për shkak se mungonte avokati i saj mbrojtës. Gjykatësja ka vendosur shtyrjen e seancës për disa minuta, për shkak të mungesës së avokatit, dhe Alldërvishit pritet t’i caktohet një avokat kryesisht.
59-vjeçarja nuk ka folur asnjë fjalë përpara hetuesve përveç faktit që është e tronditur. “Nuk kam asgjë për të thënë jam e tronditur, do flas në një moment të dytë”, mësohet se ka thënë Alldërvishi përpara hetuesve. Në këtë mënyrë sanitarja Alldervishi as ka pranuar dhe as ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj saj, duke zgjedhur të flas në një moment tjetër.
Burime nga institucioni i akuzës bëjnë me dije se prokuroria për 59-vjeçaren do kërkojë masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ndërsa përsa i përket akuzës sanitarja do akuzohet për “mashtrim më shumë se një herë”, dhe dyshohet në bashkëpunim, por nga materiali referues që policia i ka dërguar prokurorisë nuk rezultojnë ende të zbardhur emra të tjerë. Fax news ka mësuar se në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, nën hetim janë vënë edhe 4 punonjës të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Në ditët në vijim prokuroria pritet që të marrë në pyetje disa persona, punonjës në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Sipas informacioneve që Fax news ka siguruar nga prokuroria, ka mësuar se mes personave që do merren në pyetje nga do të jenë edhe mjekë e infermier të këtij spitali, i kthyer prej muajsh në spitalin COVID-2. Tire Alldërvishi, u vu në pranga, pasi duke u hequr si infermiere mashtroi një 30- vjeçare, vajza e një pacienteje me Covid-19, që po trajtohej në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Ajo arriti ti merrte të resë rreth 8 milionë lekë të vjetra, me pretendimin se do kujdesej për nënën e saj. Burime thanë se vajza e të ndjerës ka bërë denoncimin në polici, disa orë përpara se të transmetoheshin pamjet në një emision investigativ. Përveç pamjeve të emisionit të transmetuar mbremjen e së martës, policia ka sekuestruar edhe disa kamera sigurie pranë spitalit “Shefqet Ndroqi”, që konfirmojnë takimin e vajzës me sanitaren.
(E.K/Faxweb.al)