Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti deklaroi sot nga Pogradeci se populli kërkon mbështetje, punë, investime duke dashur të largojë vëmendjen nga përplasjet mes koalicionit me PS-në. Duke iu përgjigjur interesit të mediave në lidhje me koalicionin, Panariti rikujtoi fjalët epike të zonjës nga Berati gjatë përplasjes Nano-Meta se populli rri pa bukë e pa drita veç politika të jetë e bashkuar.
“Nuk jemi në kohen e zonjës nga Berati që thoshte, pa bukë, pa drita rrimë, vetëm ju bashkohuni. Jemi në kohë tjetër, kur populli shqiptar kërkon mbështetje, punë, investime. Fermerëve dhe popullit nuk i intereson se me kë bëjmë 71 vota, ata duan zhvillim”, tha Panariti.
“Peshkatarët e fermerët duan punë, jo vetëm koalicione”, shtoi ministri.
Këto deklarata Panariti i bëri gjatë vizitës në Qendrën e Mbarështimit te Rasatit të Koranit, në Lin, Pogradec.
Qendra e Rasatit, prodhon rreth 1 milion copë rasat, që hidhen në Liqenin e Pogradecit. Ministri u njoh me situatën dhe rezervatit dhe procedurat e mbarështimit nga specialistet e qendrës.
“Pas takimit me peshkatarët në Udenisht dhe pas njohjes me problemet e tyre, erdha në këtë qendër. Kjo qendër është e rëndësishme për prodhimin e rasatit për Liqenin e Ohrit. Garantohet një sasi shumë e madhe prodhimi, 1 milion copë rasat. Pas takimit me peshkatarët, vendosa që ta hapim me 15 shkurt sezonin e peshkimit me grep. Do të ndërtojmë 4 mole të reja. Do të bisedoj me ministrat e tjerë të linjës, për dy kolektorë të tjerë të rinj për pastrimin e ujërave të liqenit. Do të urdhëroj që të kontrollohen të gjitha pikat e shitjes se rrjetave jashtë standardit dhe do sekuestrojmë të gjithë ato të papërshtatshme”, tha ai.