Pandemia e Covid-19 ka rezultuar më fatale në Shqipëri se në gjithë shtetet e tjera të Europës.
Të dhënat nga Eurostat, INSTAT dhe institutet statistikore të rajonit, të përpunuar nga Monitor, tregojnë se në vitin 2020, Shqipëria shënoi rritjen më lartë të vdekjeve në Europë, në krahasim me mesataren e 2016-2019.
Sipas INSTAT, në vitin 2020 janë shënuar gjithsej 27,605 humbje jete, me rritje prej 26.4% në krahasim me mesataren e 2016-2019, duke shënuar dhe nivelin më të lartë historik të jetëve të humbura në një vit.
Shteti i dytë në Europë, me rritjen më të lartë të fataliteteve është Maqedonia, me 22.5%. Maqedonia e Veriut, me një popullsi gati 30% më të ulët sesa ne, ka raportuar çdo ditë humbje jete nga pandemia shumë më të larta sesa institucionet shqiptare. P.sh., në 14 janar 2021, kishte deklaruar gjithsej 2.635 raste të vdekjes, përkundrejt 1241 në Shqipëri. Mediat në Maqedoni pohojnë se numri i vdekjeve të deklaruara ka qenë i lartë, për shkak të raportimit të plotë që bëjnë autoritetet.
Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut jep të dhëna javore shumë më të detajuara se institucionet shqiptare për incidencën, moshën e vdekjeve, sëmundjeve shoqëruese, simptomat, madje edhe ku ato ndodhin (94% në spital dhe 6% në shtëpi, deri në 10 janar).
Gjendja me COVID-19 në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në botë 04-10.01.2021
E treta me rritjen më të lartë të vdekshmërisë në Europë renditet Kosova me 22.1%, duke i bërë të tre vendet e rajonit më të brishtat ndaj pandemisë, çka ekspozon dobësitë e sistemeve shëndetësore përkatëse. Edhe Kosova ka pasur raportime zyrtare për jetët e humbura nga Covid-19 më të larta sesa Shqipëria.
Në Bashkimin Europian, rekordin për rritjen e fataliteteve e mban Polonia, me një rritje prej 20.7% dhe më pas Spanja me 20.3%, e Sllovenia me 19.9%, e ndjekur nga Çekia me 18.7%. (Shiko grafikun: Rritja e vdekjeve në % në 2020-n, në raport me mesataren 2016-2019 dhe tabelën Vdekjet në Europë).
Belgjika, e cila raporton dhe nivelet më të larta zyrtare në Europë për 1 milion banorë, është e teta në Europë për rritjen e fataliteteve (ky shtet ka një raportim të mirë të pasojave të Covid-19).
Italia, vatra e parë e Covid-19, kishte një rritje të vdekshmërisë me 17.1%, në krahasim me mesataren e 2016-2019. Të dhënat e tjera të Institutit Statistikor të Italisë (ISAT), tregojnë se pasojat e pandemisë ishin më të fortat në Italinë e Veriut, sidomos në Bergamo, ku jetët e humbura u rritën me 60% në 2020-n, në krahasim me mesataren 2015-2019, Cremona (+52.7%), Brescia (+40.6%). Në Milano, fatalitetet u rritën me 32%. Ndërsa në pjesën më të madhe të zonave të Jugut, rritja ishte një shifrore. Italia kishte muajt më të vështirë në mars dhe prill, me rritje totale të fataliteteve përkatësisht 48.4% dhe 40.6%. pas një qetësimi të ndjeshëm nga maji në shtator, vala e pandemisë u përkeqësua sërish në tetor (+16%0, për të kulmuar në nëntor (+52%) , ndërsa në dhjetor jetët u humbura u shtuan me rreth 29%.
Suedia, shteti që i sfidoi të gjithë për shkak se nuk pranoi të mbyllej në valën e parë të pandemisë, shënoi një rritje të vdekshmërisë me 9.8% në 2020-n, duke qenë ndër 10 shtetet me shtim më të ulët të fataliteteve. Megjithatë, në raport me shtetet fqinje, rritja e vdekshmërisë ishte shumë më e lartë. Më mirë në Europë, pandeminë rezulton se e kanë menaxhuar Danimarka (+3.4%), Finlanda (+2.9%), Norvegjia (+1.4%). Shtetet nordike njihen për sistemet e mira shëndetësore dhe ndërgjegjësimin qytetar në zbatimin e rregullave.
Sipas Eurostat, kishte më shumë se 530 000 vdekje shtesë në BE dhe vendet e EFTA nga janari deri në dhjetor 2020, përkundrejt numrit mesatar të vdekjeve gjatë së njëjtës periudhë midis 2016 dhe 2019. Nga dy valët e pandemisë, në pjesën e parë të 2020-s dhe në tremujorin e fundit, vala më e rëndë ishte në muajt e fundit. Gjatë periudhës së parë kritike, nga mesi i marsit deri në fund të majit 2020, kishte më shumë se 175 000 vdekje shtesë; të dhënat nga fillimi i tetorit deri në fund të vitit nxjerrin në pah një rritje të dytë më të madhe me më shumë se 330 000 vdekje shtesë, raportoi Eurostat. Klikoni këtu për më shumë informacion: Weekly death statistics
Shtesa e fataliteteve për 1 milionë banorë ishte më e larta në Bullgari (2650 për 1 mln banorë), por ky shtet edhe në vite normale ka normën më të lartë të vdekshmërisë në Europë (15.5 mijë vdekje për 1 milion banorë për 2016-2019), për shkak të plakjes së popullsisë dhe emigracionit të lartë.
E dyta renditet Maqedonia (2,216), që gjithashtu ka vdekhmsëri të lartë edhe në vite normale, e treta Polonia (2,195) dhe e katërta Shqipëria (2,026), që në vite normale ka pasur një vdekshmëri të paktën 20-30% më të ulët sesa këto shtete. (shiko grafikun: Shtesa e vdekjeve 2020 ndaj mesatares 2016-2019 për 1 milion banorë dhe tabelën: Vdekjet për 1 milionë banorë dhe shtesa në 2020).
Në rajon, Serbia shënoi një rritje të fataliteteve me 13% (në krahasim me 2019-n), Mali i Zi me 12%, ndërsa të dhënat për Bosnjë Hercegovinën nuk janë të disponueshme për gjithë vitin.
Në vite normale, Shqipëria dhe Kosova kishin vdekshmërinë më të ulët në rajon në raport me popullsinë, pasi kanë një moshë mesatare më të re (Kosova rreth 30.5 vjeç e Shqipëria rreth 37, përkundrejt 43 vjeç Serbia, 39 Maqedonia e 41 Mali i Zi.
Allkja: Rritja e lartë e fataliteteve lidhet me sistemin e dobët shëndetësor
Ilir Allka, ish mjek i Urgjencës Kombëtare, tha për “Monitor” se rritja e vdekjeve gjatë vitit 2020 e në vazhdim është e lidhur qartë me infeksionin e Covid-19 .
“Realisht Shqipëria ka një numër tejet shqetësues të numrit të vdekjeve në raport me 1 milion banorë”.
Sipas doktor Allkja, shkaqet janë disa;
-Së pari Shqipëria nuk ka një sistem solid shëndetësor, përkundrazi ka një sistem anemik, me mungesa të shumta në mjete e burime njerëzore. Nuk është sekret që ne kemi spitale të pa pajisura si dhe numër mjekësh tejet të ulët për 1000 banorë. Në kemi rreth 1.1 mjekë për 1000 banorë ndërkohë që Bonjë-Hercegovina ka 2.9 mjekë/1000 banorë, ndërsa Serbia ka 3.4 mjekë/1000 banorë dhe as krahasohemi dot me Greqinë, e cila ka 5.6 mjekë për 1000 banorë .
-Së dyti fokusi kryesor në fillim të epidemisë u zbatua në drejtim të të infektuarve me Covid-19, ndërkohë që të sëmurë kardiakë, me tumore apo probleme të tjera u lanë pas dore. Në muajt mars, prill e maj të vitit 2020 pothuajse nuk funksionuan konsultat përkatëse në QSUT.
-Së treti, në kemi humbjet më të larta të jetës në spitalet Covid, në dhomat e terapisë intensive si dhe në intubim. Kjo vërteton se pajisja e këtyre spitaleve me mjete jetë-shpëtuese si dhe trajnimi i stafeve të tyre lë për të dëshiruar , e nuk është aspak sikundër ka deklaruar kryeministri i vendit, duke e renditur gjendjen e spitaleve tona të njëjtë me spitalet franceze, gjermane etj.
“Ne kemi numër tej të ulët të mjekëve e infermierëve për shtrat spitali, mjafton të shihni të dhënat në Eurostat, për të kuptuar që kemi një sistem shëndetësor me standarde afrikane”, përfundon Allkja.
Analisti Hoxha shpjegon diferencën e lartë me raportimet zyrtare
Shtesa e vdekjeve në 2020-n, në raport me mesataren 2016-2019 në vend êshtë rreth 5 herë më e lartë se raportimet zyrtare nga spitalet Covid (1181 persona deri në fund të 2020-s), duke treguar indirekt se pasojat e pandemisë në vend kanë qenë shumë më të mëdha.
Artan Hoxha, opinionist dhe analist për ekonominë dhe statistikat pohon për Monitor se “Bazuar në deklarimet qeveritare për infektimet, spitalizimet dhe vdekjet COVID Shqipëria rezultonte deri në fund të vitit 2020 nga vendet me treguesit më pozitive, pra më pak të prekur nga COVID, apo thënë ndryshe me qeverinë më të suksesshme. Aty ku qeveritë e tjera nuk po ia dilnin me masa të ashpra Qeveria jonë po ia dilte me masa fare të buta. Mrekulli!”
Hoxha shton se e gjitha doli që ishte një gënjeshter e madhe. “Shtesa e pazakonte e vdekjeve në 2020-n është më e larta në Europë. E po të bëjmë krahasimin me Greqinë Veriore dhe/ose Italinë Jugore apo Italinë e Mesme, apo qofte edhe me Malin e Zi apo Kroacinë, rezultati ynë është 3-4 herë më i keq. Rezultati yne është me keq edhe se Kosova, e cila ishte pa qeveri në pjesën më të madhe të 2020-s edhe se Maqedonia e Veriut qe iu desh të bënte zgjedhje të parakoheshme në korrik 2020”.
“Jemi kampionët e shtesës së vdekjeve sepse jemi kampionët e testimeve të pakta dhe kampionet e gënjeshtrës me vdekjet. Raporti i shtesës së vdekjeve 2020 me vdekjet e deklaruara COVID është 5 me 1, si në asnjë rast tjetër në Europë.
Hoxha pohon se testet e pakta diagnostikuese, pakësojnë mundësitë për të monitoruar dhe trajtuar sëmundjen. “Gënjeshtrat e mëdha e të bukura të Qeverisë, me ‘shifrat e reduktuara dhe situatën gjithnjë nën kontroll’ ulin alarmin dhe vetëkujdesin tek njerëzit, të cilët edhe infektohen më shumë edhe diagnostikohen relativisht më pak ose me vonesë. Gjithashtu, strukturat tona shëndetësore publike të keqfurnizuara dhe me personel shume, shumë të paket, ofrojnë më pak shërbim e me pak cilësor, jo vetëm për COVID19 por edhe për sëmundje të tjera”.
Hoxha shton se të gjitha këto shpjegojnë shtesën e lartë të vdekjeve të pazakonta 2020 në Shqipëri. “E, këto jane shifrat deri në 31 dhjetor 2020 se po te llogarisim edhe muajt janar, shkurt dhe 8 ditët e para të marsit, – pra 1 vit nga fillimi i masave kufizuese – shtese e pazakontë e vdekjeve i është afruar shifrës 40% ndërkohë që vendet e tjera të Europës nuk kanë pasur kaq shumë përkeqësim këto kohët e fundit. E megjithatë, Qeveria jone vijon të njëjtin refren – ‘situata është nën kontroll, pandeminë po e menaxhojmë me sukses të plote’”, përfundon Hoxha./monitor