Kredia për sektorin e shëndetësisë ka pësuar rritje të shpejtë gjatë vitit 2020, duke shfaqur një ecuri të kundërt me huanë e re në sektorët e tjerë të ekonomisë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kredia e re për bizneset e shëndetësisë arriti në 2.7 miliardë lekë gjatë 11 mujorit të vitit 2020 me një rritje prej 117 për qind, në raport me të njëjtën periudhe të vitit 2019.
Kredia u nxit nga kërkesa e lartë për logjistikë nga strukturat private të shërbimeve spitalore. Ekspertët e sektorit shpjegojnë se pandemia nxiti një kërkese të pazakontë për analiza dhe diagnostikime me skaner e grafi. Për të përmbushur nevojat e pandemisë klinikat private dhe sidomos laboratorët investuan në pajisje shtesë.
Për të plotësuar logjistikën operatorët private të shëndetësinë kërkuan kreditim në institucionet financiare të vendit. Kredia e re për këto biznese shënoi rritjen më të lartë gjatë vitit 2020 në raport me sektorët e tjerë të ekonomisë, ku për shumicën huaja e re shënoi rënie.
Bizneset e lidhura me çështjet e shëndetit kanë pësuar zgjerimin gjatë vitit të kaluar. Klinika shëndetësore që ofrojnë shërbime të specifikuara po hapen me shpejtësi.
Një pjesë e popullatës që ka frikë të aksesojë shërbimet publike nga frika e pandemisë, preferojnë konsulta të ngushta në klinika dhe spitale private.
Ekspertët e fushës pohojnë se zgjerimin më të madh e kanë pasur laboratorët. Këto shërbime janë ndeshur më kërkesë të pazakonte për shkak se një i sëmurë me Covid-19 ka nevojë për më shumë se dy tre ekzaminime laboratorike për të kontrolluar nivelet e infeksionit, imunitetit dhe dodimerit.
Shërbimet e shëndetësisë janë të liberalizuara prej vitesh, por sektori mori hov në mes të viteve 2000, kur në treg nisën të operonin dy qendra spitalore private, duke ofruar të gjitha shërbimet shëndetësore spitalore.
Ekspertët parashikojnë se bizneset shëndetësore gjenden para një perspektive të mirë, për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritje së barrës së sëmundjeve edhe në moshat e reja.
70 mln euro në vit për t’u kuruar në spitalet private
Krahas klinikave, edhe aktiviteti i spitaleve private ka shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit, ndonëse ato vijojnë të rezultojnë ende me humbje. Në tre spitalet private kryesore në vend, shqiptarët kanë shpenzuar rreth 8.5 miliardë lekë, gati 70 mln euro për t’u kuruar në 2019-n, ose 10% më shumë se një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare nga bilancet e tyre.
Në 2019-n, “Spitali Amerikan”, më i madhi privat në vend, raportoi të ardhura prej 5.4 miliardë lekësh, me një rritje prej 10% me bazë vjetore.
“International Hospital” (ish-Hygeia), raportoi në vitin e parë të plotë të aktivitetit nën drejtimin e ri, qarkullim vjetor prej 2.6 miliardë lekësh, me rritje prej 9% me bazë vjetore.
“Salus”, spitali i tretë më i madh në vend, raportoi 431 milionë lekë të ardhura, me rritje 14.4% me bazë vjetore në vitin 2019.
Në 2020-n për shkak të pandemisë janë rritur ndjeshëm edhe shpenzimet për kurim në spitalet jashtë vendit, kryesisht në Turqi./Monitor.